Danimarka voton për mbrojtjen e përbashkët të Evropës, pas luftës në Ukrainë

Danimarka voton për mbrojtjen e përbashkët të Evropës, pas luftës në Ukrainë

10:42, 01/06/2022
A+ Aa A-

Danimarka tradicionalisht euroskeptike voton sot në referendum nëse do të vazhdojë apo jo, të rrijë e përjashtuar nga mbrojtja e përbashkët të BE-së.

Votimi vjen pas aplikimeve historike të Finlandës dhe Suedisë fqinje për anëtarësim në NATO, dhe ndërsa lufta në Ukrainë po  i detyron vendet në Evropë të rimendojnë politikat e tyre të sigurisë.

Më shumë se 65% e 4.3 milionë votuesve të Danimarkës me të drejtë vote pritet të votojnë në favor të heqjes së këtij përjashtimi, rezulton nga një sondazh i opinionit i publikuar të dielën.

Megjithatë, parashikimet e analistëve kanë qenë më të kujdesshme, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët të votuesve që pritet në një vend që shpesh ka thënë "jo" për më shumë integrim në BE, së fundmi në 2015.

Tërheqja

Danimarka ka qenë anëtare e BE-së që nga viti 1973, por ajo vuri frenat për transferimin e më shumë pushteti në Bruksel në vitin 1992, kur 50.7 përqind e danezëve refuzuan Traktatin e Mastrihtit, traktatin themelues të BE-së. Për të bindur danezët të miratonin traktatin, Kopenhaga negocioi një sërë përjashtimesh dhe e miratua vitin pasues.

Që atëherë, Danimarka ka mbetur jashtë monedhës së përbashkët evropiane, euros, të cilën e refuzoi në një referendum të vitit 2000, si dhe politikave të përbashkëta të bllokut për drejtësinë dhe punët e brendshme dhe mbrojtjen.

Përjashtimi për mbrojtjen do të thotë që vendi skandinav, një anëtar themelues i NATO-s, nuk merr pjesë aktualisht në politikën e jashtme të BE-së kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe nuk kontribuon me trupa në misionet ushtarake të BE-së.

Politikanët që mbështesin ndryshimin

Votuesve danezë iu dha një shans i fundit për të dëgjuar nga udhëheqësit politikë të martën në mbrëmje, gjatë një debati të drejtpërdrejtë televiziv.

"Unë votoj po nesër nga zemra," i tha audiencës, Kryeministrja daneze Mette Frederiksen. "Kur ka një luftë në kontinentin tonë, atëherë bashkimi është përgjigja më e mirë që mund të japim."

Kurse Mai Villadsen, lideri i aleancës Kuq/Jeshile, nuk u pajtua.

"Vetëm sot BE ra dakord për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë," tha Villadsen. "Unë mendoj se ne kemi treguar si në BE ashtu edhe në Danimarkë se i qëndrojmë pranë popullit ukrainas. Por kjo nuk ka të bëjë fare me përjashtimin nga mbrojtja, nuk ka të bëjë me Rusinë dhe Ukrainën."

Kryeministrja Frederiksen e thirri referendumin vetëm dy javë pas pushtimit rus të Ukrainës dhe pasi kishte arritur një marrëveshje me shumicën e partive në parlamentin e Danimarkës, Folketing. Frederiksen njoftoi gjithashtu planet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes të Danimarkës në dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në përputhje me kërkesat e anëtarësimit në NATO, deri në vitin 2033.

Njëmbëdhjetë nga 14 partitë politike të Danimarkës u kanë kërkuar votuesve të thonë "po" për të hequr dorë nga zgjedhja që kishin bërë, duke përfaqësuar më shumë se tre të katërtat e vendeve në parlament.

Vendvotimet u hapën në orën 8:00 të mëngjesit CEST dhe mbyllen në orën 20:00, me rezultatet përfundimtare që priten rreth orës 23:00.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco