Britania: Moldavia duhet të pajiset sipas standardeve të NATO-s

Britania: Moldavia duhet të pajiset sipas standardeve të NATO-s

14:46, 21/05/2022
A+ Aa A-

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se Moldavia duhet “të pajiset sipas standardeve të NATO-s”, për të mbrojtur veten kundër agresionit rus.

Në një intervistë për të përditshmen britanike, Telegraph, Truss ka thënë se janë duke u zhvilluar bisedime për ofrimin e ndihmës së shteteve të vogla, duke marrë parasysh ambiciet e presidentit rus, Vladimir Putin, “për të krijuar një Rusi më të madhe”.

Ajo ka thënë se synimi i negociatave është që Ukraina “të jetë e gatshme të mbrojë veten përgjithmonë” dhe kjo gjë vlen edhe për “shtetet më të cenueshme” sikurse Moldavia, e cila nuk është anëtare e NATO-s.

”Aktualisht jemi duke punuar në një komision të përbashkët me Ukrainën dhe Poloninë për avancim të mbrojtjes ukrainase me standarde të NATO-s”, ka thënë Truss për Telegraph.

E pyetur nëse dëshiron të shohë armë perëndimore në Moldavi, ajo ka thënë se dëshiron ta shohë Moldavinë të pajisur sipas standardeve të NATO-s.

“Ky është diskutimi që kemi me aleatët tanë”, tha ajo.

E pyetur nëse këto diskutime po bëhen pasi Rusia përbën kërcënim për Moldavinë, ajo ka thënë: Padyshim, Putin i ka bërë të qarta ambiciet për të krijuar Rusi më të madhe.

Moldavia dhe rajoni i shkëputur Transdniestër ndajnë një kufi prej 1,200 kilometrave me Ukrainën dhe së fundi janë rritur shqetësimet se Rusia mund të pushtojë këtë shtet.

Më herët gjatë këtij muaji, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, është zotuar se do të rrisë ndihmën ushtarake për Moldavinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco