Mariupol: Rusia shpall fitoren e plotë në uzinën Azovstal

Mariupol: Rusia shpall fitoren e plotë në uzinën Azovstal

07:45, 21/05/2022
A+ Aa A-

Rusia ka shpallur fitoren në betejën e saj disamujore për të pushtuar qytetin port ukrainas të Mariupolit.

Luftëtarët e fundit që mbronin fabrikën e çelikut të qytetit Azovstal tani janë dorëzuar, thanë zyrtarët e Moskës.

Për muaj të tërë, trupat ishin strehuar në kompleksin e madh, duke penguar Rusinë të vendoste kontrollin e plotë mbi qytetin.

Evakuimi i së premtes shënon fundin e rrethimit më shkatërrues të luftës, me Mariupolin tani në rrënoja të plota.

Qyteti dhe fabrika e tij e çelikut tani janë "çliruar plotësisht" pasi 531 trupa ukrainase u larguan nga vendi, tha ministria ruse e mbrojtjes.

“Objektet e nëndheshme të ndërmarrjes, ku fshiheshin militantët, u vunë nën kontrollin e plotë të forcave të armatosura ruse”, shtoi ajo në një deklaratë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtësit e fundit të mbetur të zonës kishin marrë leje të largoheshin.

"Sot djemtë morën një sinjal të qartë nga komanda ushtarake se ata mund të dalin dhe të shpëtojnë jetën e tyre," i tha ai një kanali televiziv ukrainas më herët të premten.

Për javë të tëra, zona e Azovstal ishte e rrethuar plotësisht.

Forcat ruse bllokuan hyrjen e të gjithë ndihmave humanitare, bombarduan vendin nga ajri dhe kërkuan që mbrojtësit e mbetur të ulnin armët.

Shumë prej të bllokuarve brenda ishin civilë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

 Në fillim të këtij muaji ata u evakuuan plotësisht pas negociatave të mundimshme të koordinuara nga OKB-ja dhe Kryqi i Kuq që zgjatën për javë të tëra.

Por refuzimi i vazhdueshëm i mbrojtësve ukrainas të zonës për t'u dorëzuar do të thoshte se Rusia nuk ishte në gjendje të komandonte kontrollin e plotë mbi qytetin port strategjik.

Për shumë ukrainas, mbrojtësit e Azovstal janë heronj kombëtarë që simbolizonin rezistencën kokëfortë të vendit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco