Lufta në Ukrainë: Italia dorëzon planin e paqes me katër pika në OKB

Lufta në Ukrainë: Italia dorëzon planin e paqes me katër pika në OKB

13:53, 20/05/2022
A+ Aa A-

Qeveria italiane, përmes ministrit të Jashtëm Luigi Di Maio , i ka dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres një plan paqeje me katër pika për Ukrainën .

Më konkretisht, sipas shtypit italian, plani i paqes i hartuar nga qeveria Draghi bazohet në këto pika:

Pika e parë, armëpushimi.  Bëhet fjalë për arritjen e një armëpushimi mes palëve të përfshira, pasi një armëpushim i thjeshtë dhe i përkohshëm nuk konsiderohet i mjaftueshëm. Sipas planit italian, armëpushimi duhet të shoqërohet me mekanizma vëzhgimi dhe çmilitarizimin total të vijës së frontit.

Pika e dytë, neutraliteti dhe Bashkimi Evropian. Kjo pikë ka të bëjë me një negociatë shumëpalëshe për statusin e ardhshëm të Ukrainës. Sipas ministrit të Jashtëm italian Luigi Di Maio , do të ishte e dobishme të arrihet një neutralitet në Kiev, me sigurimin e "garancive politike" nga komuniteti ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me anëtarësimin e vendit në BE.

Pika e tretë, autonomia e territoreve të diskutueshme. Gjithashtu është parashikuar një marrëveshje për territoret e diskutueshme, me referencë të veçantë për Krimenë dhe Donbasin. Kjo marrëveshje do të ketë të bëjë me sovranitetin, kontrollin e territorit, statusin ligjor të këtyre zonave dhe çdo qeveri autonome. Do të sigurohen garanci për identitetin historik dhe kulturor. Me fjalë të tjera, i referohet një autonomie të territoreve të diskutueshme, e cila nuk bie ndesh me sovranitetin e Kievit në të gjithë vendin.

Pika e katërt, marrëveshja për sigurinë dhe paqen në Evropë. Pika e fundit e planit italian të paqes është nënshkrimi i një marrëveshjeje të re shumëpalëshe për paqen dhe sigurinë në Evropë, me referencë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Rusinë. Objektivat kryesore janë sigurimi i stabilitetit strategjik, kontrolli i armatimeve, miratimi i masave për të parandaluar konfliktet e luftës. Në të njëjtën kohë, propozimi italian thekson nevojën për të arritur një regjim të ngjashëm me atë që ekzistonte përpara pushtimit rus të Ukrainës dhe - si hap i fundit - lehtësimin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Për fat të keq, për momentin nuk i dimë detajet e këtij plani. Nuk e di nëse na është dërguar përmes diplomacisë, por ne jemi informuar për ekzistencën e saj nga mediat”, tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco