Biden do të lehtësojë sanksionet mbi Venezuelën, nëse Maduro pranon të bisedojë me Guaidó

Biden do të lehtësojë sanksionet mbi Venezuelën, nëse Maduro pranon të bisedojë me Guaidó

16:45, 18/05/2022
A+ Aa A-

Administrata e Presidentit Joe Biden do të lehtësojë sanksionet e vendosura mbi presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro nëse qeveria e tij është e gatshme të ulet në bisedime, të cilat do të zhvillohen në Meksiko, me lëvizjen opozitare. Lajmi i bërë i ditur për McClatchy dhe Miami Herald nga burime të afërta me zhvillimet politike mund të shënojë një pikë kthese në presionin e ushtruar nga Washingtoni mbi Caracasin.

Lehtësimi i sanksioneve amerikane do të lejojë Chevron, një kompani e madhe energjetike, të nisë bisedimet për mundësinë e prodhimit të naftës në të ardhmen në Venezuela, si dhe do të heqë nga lista e sanksioneve Carlos Erik Malpica-Floresin, një ish-zyrtar i lartë i energjisë në Venezuela dhe nip i gruas së Maduros. 

Ky i fundi u largua nga bisedimet me opozitën venezuelase vjeshtën e kaluar, duke shembur përpjekjet e brishta diplomatike. Lideri demokratik i vendit, Juan Guaidó e ka mbështetur pozitën e tij në bisedime tek sanksionet e vazhdueshme amerikane. Një zyrtar i lartë i administratës tha për McClatchy se lehtësimi i sanksioneve ishte koordinuar me opozitën. “Është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo u bë në koordinim me presidentin e përkohshëm Juan Guaidó për të çuar përpara bisedimet”, tha zyrtari.  

SHBA dhe rreth 60 shtete të tjera njohin Guaidón si president të përkohshëm të Venezuelës dhe akuzojnë Maduron se e ka çuar vendin në kolaps ekonomik gjatë nëntë viteve të fundit. Administrata Trump vendosi sanksione të ashpra mbi Caracasin e madje mori në konsideratë edhe përdorimin e forcës për përmbysjen e Maduros më 2019.

Lehtësimi i sanksioneve i jep licencën Chevronit për të nisur bisedimet për aktivitete të ardhshme në Venezuela. Chevron mund të ketë nevojë për autorizim shtesë për të nisur prodhimin e ri.  

Presidenti Joe Biden ka vazhduar fushatën e ushtrimit të presionit maksimal të nisur nga Trump që në ditën e parë në detyrë. Por invazioni rus në Ukrainë hapi një mundësi për administratën që të angazhohet direkt me Caracasin. Shtëpia e Bardhë shpresonte të prishte aleancën e Venezuelës me Moskën dhe të sillte një burim të ri nafte në treg teksa lufta rriti çmimet e energjisë.

Në fillim të marsit, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë udhëhoqi një delegacion që u takua me qeverinë e Maduros, kryesisht për lirimin e dy të ndaluarve amerikanë. Por zyrtarët pranuan se energjia ishte një tjetër temë e diskutuar në takim. 

Lehtësimi i mëtejshëm i sanksioneve do të jetë i lidhur me ecurinë e bisedimeve në kryeqytetin e Meksikës, tha një zyrtar familjar me çështjen. “Duam të jemi shumë të qartë në këtë pikë”, shtoi ai. “Sanksionet mbi regjimin e Maduros do të mbeten. Nuk po e bëjmë këtë për të kthyer mbrapsht fushatën e Trumpit me presion maksimal. Politika jonë, në përgjithësi, nuk ka ndryshuar”

Një lehtësim i ri i sanksioneve mund të vijë vetëm tri javë para se SHBA të presë Samitin e Amerikave për herë të parë që nga samiti inaugural më 1994. Disa liderë rajonalë i kanë kërkuar administratës së SHBA të ftojë një përfaqësues të qeverisë së Maduros.

Ndërkaq, pak tregues ka se Caracasi do të largohet nga Rusia teksa angazhohet me SHBA. Të hënën, Maduro njoftoi se ambasadori i tij në Moskë, Carlos Faría, do të bëhet ministër i jashtëm i Venezuelës.

Propozime të mëparshme për heqjen e sanksioneve amerikane u cilësuan si “të marra” nga persona brenda opozitës, të cilët thonë se kjo vetëm sa do të forconte pushtetin e Maduros në vendin amerikanojugor dhe do ta shkatërronte edhe atë pak pozicion të favorshëm të opozitës në bisedimet në Meksiko. 

Dy palët kanë mbajtur një numër bisedimesh paqeje në vite duke u përpjekur të zgjidhin krizën e gjatë politike në vend, por kanë dështuar, teksa regjimi i Caracasit nuk është treguar i gatshëm të bëjë lëshime thelbësore, duke e përdorur procesin më tepër si një valvul sigurie për të fituar kohë e për të zbutur presionin e brendshëm./ Miami Herald | Përshtati Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco