‘Kush mbetet brenda, vdes’/ Detajet e operacionit për kreun e ISIS

‘Kush mbetet brenda, vdes’/ Detajet e operacionit për kreun e ISIS

12:26, 04/02/2022
A+ Aa A-

Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi shihej shumë rrallë që kur mori drejtimin e Shtetit Islamik. Por të enjten u vulos fati i tij.

Gjithçka nisi kur ai vendosi të dalë hapur për të sulmuar një burg në Siri. Beteja zgjati më shumë se një javë, por militantët e Shtetit Islamik nuk morën dot në kontroll burgun. Agjentët perëndimorë në terren mësuan se vetë kreu i ISIS ishte përfshirë në këtë sulm. Nga ky moment nisi ndjekja e tij, duke lokalizuar edhe vendin ku fshihej.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ai u rrethua nga forcat speciale Delta të SHBA. Pasi rrethimi u ngushtua, ai hodhi veten në erë duke vrarë edhe gruan e fëmijët e tij.

Helikopterët mbërritën pak para se të binte mesnata në rrethinat e qytetit Atmeh në Siri, aty ku inteligjenca amerikane besonte se gjendej lideri i ISIS.

Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi ishte i fiksuar me sigurinë. Ai rrallë largohej nga godina dhe e drejtonte grupin me mesazhet që i shpërndante përmes një ‘ushtari’ që jetonte një kat më poshtë.

Fqinjët e dinin se operacioni do ishte vrastar kur dëgjuan zhurmat e helikopterëve. Pak minuta më vonë dëgjuan një zë që u bënte thirrje të dilnin jashtë dhe të dorëzoheshin.

“Kushdo që del jashtë dhe dorëzohet, do jetë i sigurt. Kush mbetet brenda, do vdesë,” thuhej në altoparlant.

Një nga fqinjët e kreut të ISIS dëgjoi goditje në derë. Kur e hapi, pa komandot amerikane dhe një përkthyes arab, që i tha se duhej të largohej bashkë me familjen urgjent dhe të fshihej pas godinës.

Në kohën e medieve sociale, gjithçka zbulohet menjëherë. Banorët nisën të raportojnë se mbi kokë po u fluturonin helikopterë dhe avionë. Dronët po monitoronin operacionin.

“Fillimisht u terrorizuam, askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Menduam se ishin avionët sirianë që na hidhnin bomba fuçi,” tha një banor.

Banesa ku fshihej al-Qurayshi ishte rrethuar. Komandot amerikanë e dinin se ishte një familje civile që jetonte në katin e parë të ndërtesës. Por teksa ata përsërisnin mesazhin me altoparlant, një grua dhe disa fëmijë u larguan nga godina. E gjithë kjo situatë zgjati 45 minuta.

I rrethuar ngado, shefi i ISIS në katin e tretë të godinës nuk kishte rrugë tjetër. Për fat të keq, zgjidhja ishte barbare. Ai shpërtheu një bombë, duke vrarë veten dhe disa persona të tjerë, përfshi gruan dhe fëmijët. Shpërthimi shkatërroi katin e tretë të ndërtesës. Ishte kaq i fuqishëm sa trupat po fluturonin në ajër.

Ky shpërthim ishte sinjal se tani duhej të ndërhynin komandot. Por teksa po afroheshin te ndërtesa, nisën krismat nga kati i dytë i godinës. Një ‘ushtar’ i ISIS dhe e shoqja e tij hapën zjarr. Komandot Delta reaguan dhe i ekzekutuan të dy.

Gjatë operacionit një helikopter pësoi defekt dhe amerikanët u detyruan ta shkatërrojnë në vend. Një prej helikopterëve u sulmua nga persona të armatosur përpara se ekipi të largohej. Amerikanët reaguan dhe vranë dy persona.

I gjithë operacioni nga fillimi deri në fund zgjati dy orë. Këtu përfshihet edhe koha që iu desh komandove për të identifikuar trupin e kreut të ISIS me analza precize të ADN-së.

Po ashtu ata krehën katin e tretë për të gjetur prova të mundshme.

Por ndryshe nga sa ndodhi në vitin 2011, kur u vra shefi i Al Kaedës, Osama bin laden, komandot e lanë pas trupin e Al-Qurayshi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco