Diplomatët perëndimorë me kërkesa konkrete ndaj talibanëve

Diplomatët perëndimorë me kërkesa konkrete ndaj talibanëve

12:37, 26/01/2022
A+ Aa A-

Diplomatët perëndimorë thanë se gjatë takimit me delegacionin e talibanëve në Norvegji kanë lidhur ndihmën humanitare me përmirësimin e të drejtave të njeriut në Afganistan.

Një delegacion prej 15 anëtarësh i talibanëve mbajti diskutime me disa diplomatë perëndimorë më 25 janar, në ditën e fundit të udhëtimit të parë zyrtar të talibanëve në Evropë që prej se ky grup rimori pushtetin në muajin gusht.

Sekretari norvegjez i Shtetit, Henrik Thune, tha për agjencinë e lajmeve NTB para takimit se diplomatët perëndimorë do të bëjnë “kërkesa konkrete” ndaj talibanëve “të cilat ne mund t’i verifikojmë nëse ata do t’i plotësojnë”.

Në mesin e kërkesave u përfshi edhe mundësia e ndihmës së drejtpërdrejtë humanitare për popullin afgan, raportoi NTB.

Norvegjia po ashtu ka bërë thirrje që të respektohen të drejtat e njeriut, veçmas ato të grave dhe minoriteteve, siç janë qasja në edukim dhe shërbime shëndetësore, e drejta e punës dhe liria e lëvizjes.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Afganistanin, Tomas Niklasson, tha në Twitter se ai kishte “theksuar nevojën që të ketë qasje në shkollën fillore dhe të mesme për djemtë dhe vajzat në mbarë vendin kur viti i ri shkollor të nisë në mars”.

Niklasson e postoi këtë reagim në përgjigje të Ministrisë së Jashtme afgane që tha se Niklasson i kishte thënë delegacionit taliban se BE-ja do ta vazhdojë ndihmën humanitare dhe se ka bërë thirrje për mbajtjen e takimeve të reja.

Zëdhënësi i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët, Abdul Qahar Balkhi, tha se ministri i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi, që ka udhëhequr delegacionin, “i ka falënderuar ata për mbështetjen dhe ka theksuar raportet pozitive dhe bashkëpunimin”.

Situata humanitare në Afganistan është përkeqësuar që prej se talibanët rimorën pushtetin në gusht. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 22.8 milionë afganë janë duke u përballur me mungesë akute të ushqimit, ndërkaq 8.7 milionë të tjerë janë në prag të urisë.

Që prej gushtit të vitit 2021, ndihma ndërkombëtare, që ka financuar rreth 80 për qind të buxhetit afgan, është pezulluar dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngrirë 9.5 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore të Afganistanit. Po ashtu, papunësia është rritur dhe shërbyesit civilë për muaj të tërë nuk janë duke e marrë pagën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco