Si ia vuri flakën Biden shërimit ekonomik të nxitur nga Trump

Si ia vuri flakën Biden shërimit ekonomik të nxitur nga Trump

12:50, 21/01/2022 Nga Liz Peek
A+ Aa A-

Nga Liz Peek, THE HILL

Shtëpia e Bardhë festoi një vit suksesesh ekonomike duke tuituar: “Kur Presidenti dhe Zëvendëspresidentja morën detyrën, ekonomia jonë ishte në prag kolapsi”.

Kjo është një gënjeshtër e madhe.

Kur Biden vuri këmbën në Zyrën Ovale një vit më parë, GDP reale po rritej me 6.3%, inflacioni ishte 1.4%, çmimi i karburantit 2.39 dollarë për galon dhe indeksi i ndjesisë së konsumatorit në Michigan qëndronte në 79. Sot, rritja reale është ngadalësuar në vetëm pak më tepër se 2%, inflacioni është 7%, karburanti është rritur në 3.31 dollarë për galon dhe Michigan Index është 68.8.

Më tej, pagat reale ranë 2.4% gjatë vitit të fundit, me inflacionin që i ka mbytur rritjet e pagave pas disa viteve fitime nën Presidentin Trump.

Në vetëm një vit, Biden ia doli t’i vinte pishën një ekonomie që po e merrte veten në mënyrë të qëndrueshme kur ai mori presidencën. Vendimet e këqija njëri pas tjetrit, komplikuar, pa dyshim, edhe nga disa gjëra jashtë kontrollit të tij, e zhbënë kthesën që kishte nisur ndërkohë ditën kur ai u bë president.

Gabimet më të mëdha? Depresioni i investimeve në fushat naftëmbajtëse, hapat prapa në prodhimin e naftës amerikane, dhe lënia në mëshirën e OPEC dhe të çmimeve të larta të karburantit; rritja jashtë kontrollit e shpenzimeve federale me Planin Amerikan të Shpëtimit (ARP) (votuar vetëm nga Demokratët), duke mënjanuar miliona punëtorë e duke nxitur mungesën ekzistuese të fuqisë punëtore; dhënia e mandateve për maskat që e përkeqësuan mungesën e fuqisë punëtore; injorimi i inflacionit që erdhi si pasojë deri sa votuesit u rebeluan, duke i kërkuar Rezervës Federale të merrte çfarëdo masash të ashpra për ndryshim kursi.

Këto janë vetëm pikat kryesore.

Justifikuesit e Bidenit mund të deklarojnë se 1) varianti Omicron e ka fajin për ngadalësimin, 2) rritja një vit më parë ishte ushqyer nga shpenzime federale të nxitura nga paketat e ndihmës kundër COVID-19, dhe 3) në anën pozitive, kemi papunësi dukshëm më të ulët.

Të gjitha këto janë korrekte, por nuk e justifikojnë çorbën që Biden bëri me shërimin ekonomik të sjellë nga Trump.

Së pari, varianti Omicron sigurisht që po shkakton ngadalësim rritjeje. Por kini parasysh që një vit më parë, Delta – një formë shumë më vdekjeprurëse e COVID-19 – po bënte namin, duke shkaktuar 4380 vdekje në SHBA më 20 janar, ditën e inaugurimit të Biden. Vaksinat sapo ishin prezantuar, njerëzit ishin të frikësuar dhe nuk njiheshin kura.

Sot, mesatarja javore e vdekjeve nga Covid është nën 2000. Dominues është Omicron. Vaksinat, të cilat ulin seriozisht shanset për sëmundje të rëndë dhe vdekje, janë gjerësisht në dispozicion, ndërkohë që po dalin vazhdimisht kura të ndryshme.

Me fjalë të tjera, kërcënimi nga Covid ka rënë; pse duhet që Omicron të jetë problem më i madh për rritjen ekonomike se sa Delta më parë? Mos vallë ngaqë mandatet për maska e vaksina dhe paralajmërimet e frikshme për ditë të këqija nga Shtëpia e Bardhë e Biden, ritransmetuar me besnikëri nga media, e kanë squllur shpirtin rebel të Amerikës?

Merrni në konsideratë kursin e ndjesisë së konsumatorit, i cili u zhyt në 2020 me përhapjen e virusit, por rimori shumë terren deri në fillim të 2021 pavarësisht sfidës në vazhdim të pandemisë.

Nën Biden, indeksi i ndjesisë së konsumatorit është ulur sërish, duke kapur nivele që nuk ishin parë që nga Recesioni i Madh. Ky është lajm i keq; konsumatorët duhen të ndihen optimistë që të shpenzojnë pará. Është kryesisht shpenzimi nga ana e konsumatorëve ai që shtyn ekonominë dhe kohët e fundit i kemi ndjerë efektet e rënies së ndjesisë.

Muajin e fundit, shpenzimet për blerjet me pakicë ranë 1.9%, duke befasuar ekonomistët të prisnin një rënie 0.1%. Një vit më parë, në janar 2021, këto shpenzime kërcyen në 5.3%, shumë sipër pritshmërisë për 1.2%.

Sa për ndikimin e paketave federale, Kongresi miratoi një paketë ndihmash me vlerë 900 miliard dollarë në dhjetor 2020, pas Aktit bipartizan CARES me vlerë 2.2 trilion dollarë të miratuar më herët, të cilët ndihmuan që të dy në nxitjen e shpenzimeve nga ana e konsumatorëve teksa hynim më 2021. Miliona amerikanë morën çeqe ndihme me vlerë 600 dollarë në fund të 2020 dhe i shpenzuan menjëherë.

Nga ana tjetër, Demokratët nën Biden i kanë mbajtur burimet federale hapur. Në mars 2021, ata kaluan pa votat e Republikanëve, Planin Amerikan të Shpëtimit (ARP), me vlerë 1.9 trilion dollarë. Megjithatë, ndryshe nga paketa e mëparshme, ARP nuk i adresohej kryesisht nxitjes së shpenzimeve nga konsumatorët apo ndihmës për mbijetesën e bizneseve të vogla.

Në të kundërt, ai çoi qindra miliarda dollarë te përkrahësit Demokratë si sindikatat e mësuesve dhe qindra miliarda të tjerë për shpëtimin e qyteteve dhe shteteve blu që kishin mbyllur ekonomitë e tyre në përgjigje të pandemisë.

I vetmi “shpëtim” ishte për politikanë të moderuar Demokratë që ishin gati të hidheshin në kosh nga votuesit, të neveritur me programin ekstrem majtist të partisë.

Edhe më keq për vendin, Demokratët e miratuan ARP edhe kur inflacioni kishte nisur të ngrinte kokë dhe madje edhe kur po bëhej e qartë që shumë amerikanë nuk po ktheheshin në forcën e punës. ARP e përkeqësoi trendin negativ duke rritur papunësinë dhe benefite të tjera edhe teksa po hapeshin me shumicë vende të reja pune.

Studimet treguan se miliona amerikanë po fitonin më tepër nga pagesat bujare të qeverisë se sa do të fitonin po të riktheheshin në punë.

Për pasojë, partia e Joe Biden bëri më të keqen e mundshme: më tepër shpenzime federale mbi një ekonomi të shëndetshme, duke rritur kërkesat edhe teksa ofertat shtoheshin përtej mundësive të furnizimit, mungesa e fuqisë punëtore u përkeqësua dhe inflacioni zuri rrënjë. Republikanët kishin të drejtë që e bojkotuan Planin e dëmshëm të Shpëtimit.

Justifikimi i madh i Joe Biden është hapja e vendeve të punës gjatë vitit të tij të parë. Po nëse mbyll bizneset, duke lënë miliona njerëz pa punë, e pastaj i hap prapë, sigurisht që numrat e punësimit do të përmirësohen.

Në të vërtetë, kishin nisur të përmirësoheshin kur Joe mori detyrën; raporti i punësimit i janarit 2021 tregonte një rritje të vogël në punësime. Teksa ritmi i rihapjes së bizneseve u përshpejtua, të njëjtën gjë bëri edhe punësimi.

T’i atribuosh Bidenit këtë kthesë të paevitueshme duket idiotizëm, sidomos duke ditur që të paktën tre milion më pak njerëz janë në punë sot krahasuar me shkurtin 2020 kur goditi virusi. Por le të brohorasim për fitore në atë front, në fund të fundit vetëm aq i ka mbetur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco