Ish-presidenti ukrainas mbërrin në Kiev për t'u përballur me akuzat për tradhti

Ish-presidenti ukrainas mbërrin në Kiev për t'u përballur me akuzat për tradhti

14:45, 17/01/2022
A+ Aa A-

Ish-Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko mbërriti në Kiev të hënën për t'u përballur me akuzat për tradhti, një çështje që ai thotë se është sajuar nga aleatët e pasuesit të tij, Presidentit Volodymyr Zelenskiy.

Në një qëndrim të shkurtër në pikën e kontrollit kufitar, pasi mbërriti me avion nga Varshava, ai akuzoi rojet kufitare se i morën pasaportën. Më vonë ai doli përpara një turme mbështetësish që qendronin jashtë aeroportit.

Kthimi i zotit Poroshenko krijon mundësinë për një përballje me qeverinë e zotit Zelenskiy. Kritikët thonë se kjo çështje krijon një shpërqendrim të pamenduar mirë, në një kohë kur Ukraina po përgatitet për një ofensivë të mundshme ushtarake nga Rusia dhe po u bën thirrje aleatëve perëndimorë për mbështetje.

Diplomatët perëndimorë bënë thirrje për unitet politik në Ukrainë para mbërritjes së zotit Poroshenko.

Petro Poroshenko po hetohet rreth dyshimeve për tradhti lidhur me financimin e luftëtarëve separatistë të mbështetur nga Rusia përmes shitjes së paligjshme të qymyrit gjatë kohës që ishte në detyrë në vitet 2014-2015. Partia e tij akuzoi zotin Zelenskiy për një përpjekje të pamatur për të heshtur opozitën politike.

Administrata e zotit Zelenskiy thotë se prokurorët dhe gjyqësori janë të pavarur dhe akuzoi zotin Poroshenko se mendon se është mbi ligjin.

"Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur Poroshenkon, por për t'u bashkuar dhe mbrojtur Ukrainën", i tha zoti Poroshenko turmës së mbështetësve të tij.

Në një konferencë për shtyp, Tetiana Sapyan, zëdhënëse e Byrosë Shtetërore të Hetimeve (DBR), tha se zotit Poroshenko i ishte dorëzuar një thirrje për t'u paraqitur në gjykatë më vonë gjatë ditës së hënë.

“Petro Poroshenko ka refuzuar të marrë dokumentet procedurale, ka shpërfillur kërkesat ligjore të hetuesit dhe në të njëjtën kohë, personat që kanë qenë me të, kanë bërë rezistencë fizike, e cila është regjistruar me pamje filmike”.

Ukraina dhe aleatët e saj kanë dhënë alarmin për dhjetëra mijëra trupa ruse të grumbulluara pranë kufijve të saj. Në një kohë kur përpjekjet diplomatike dështuan së fundmi të shënojnë përparim, Shtetet e Bashkuara thanë të premten se Rusia po fabrikon një pretekst për sulm, diçka që Kremlini e ka hedhur poshtë si "të pabazë"./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco