Lajmi i fundit

EMRA/ Arrestime në Bashkinë e Tiranës, Këlliçi: Për dosjen ...

Kufizime të reja për të pavaksinuarit në Itali/ Ja masat e mara në prag të festave të fundvitit

Kufizime të reja për të pavaksinuarit në Itali/ Ja masat e mara në prag të festave të fundvitit

19:10, 06/12/2021
A+ Aa A-

Italia po merr masa të reja ndaj personave të pavaksinuar këtë sezon festash, duke i përjashtuar ata nga ambientet e mbyllura të restoranteve, teatrot dhe muzetë për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Masat e reja që synojnë të inkurajojnë skeptikët që të vaksinohen, hynë në fuqi të hënën.

Policia italiane mund t’u kërkojë tani klientëve në restorante çertifikatat shëndetësore jeshile për të konfirmuar nëse ata janë të vaksinuar apo të shëruar së fundmi nga Covid-19. Aplikacionet e telefonave inteligjentë që kontrollojnë statusin e çertifikatës shëndetësore të njerëzve do të përditësohen dhe ata që kanë rezultuar negativ ditët e fundit për Covid-19 (por që nuk janë të vaksinuar) nuk do të lejohen më në koncerte, kinema apo shfaqje. Masat e reja kufizuese do të zgjasin deri më 15 janar.

Autoritetet vendosën gjithashtu një rregull të ri për çertifikatën shëndetësore “bazë”, e cila mund të merret me një test negativ të koronavirusit, në pikat e transportit lokal dhe në hotele.

Në Romë, qendrat lokale të transportit kontrollohen nga dhjetëra policë që u kërkojnë udhëtarëve çertifikatat shëndetësore dhe kartat e identitetit. Megjithatë, një banor 50-vjeçar i Romës u bë i pari që mori një gjobë prej 400 eurosh pasi zbriti nga autobusi në stacionin verior të Flaminios pa çertifikatën shëndetësore “bazë”, tha Stefano Napoli, zëvendës shefi i policisë së Romës.

Numri i infeksioneve të reja të Covid-19 në Itali ka qenë në rritje graduale gjatë gjashtë javëve të fundit, edhe para se të lindnin shqetësimet për variantin e ri Omicron.

Kjo është një prirje shqetësuese në një kohë kur italianët po prisnin me padurim festat e fundvitit dhe mundësinë për t’u takuar me miqtë dhe familjen, pasi vitin e kaluar nuk kishin mundësi ta bënin këtë për shkak të një vale të rritjes së infeksioneve dhe mungesës së vaksinave kundër Covid-19.

Ndërsa Gjermania dhe Austria po lëvizin drejt shpalljes së masës për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin kundër Covid-19, Italia në vend të kësaj po shtrëngon kufizimet për të pavaksinuarit në periudhën e festave të fundvitit,ndërsa po i lejon ata që janë të vaksinuar të vazhdojnë jetën pak a shumë si zakonisht.

Duke marrë parasysh festat e fundvitit, Zvicra nga e hëna po lejon organizatorët e ngjarjeve që të ndalojnë pjesëmarrjen e personave të pavaksinuar dhe atyre që nuk janë shëruar së fundmi nga Covid-19. Suedia njoftoi me 1 dhjetor masën për ta bërë të detyrueshëm prezantimin e një çertifikate dixhitale të vaksinimit kundër Covid-19 për ngjarjet e organizuara në ambiente të mbyllura me më shumë se 100 persona.

Më 12 nëntor, danezët rikthyen në fuqi masën për çertifikatën e vaksinimit, e cila duhet të tregohet nga të gjithë personat mbi 15 vjeç para se të hyjnë në klube nate, kafene, autobusë dhe restorante, por edhe në tubimet në ambiente të hapur me më shumë se 100 pjesëmarrës.

Shkalla e vaksinimit të Italisë është më e lartë se në shumë nga fqinjët e saj, ku 85% e popullsisë së kualifikuar të moshës 12 vjeç e lart dhe 77% e popullsisë në përgjithësi kanë marrë vaksinën kundër Covid-19. Por gati 3.5 milionë njerëz të moshave 30 deri 50 vjeç ende nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.

Deri më tani, varianti delta mbetet më i përhapuri në Itali, me vetëm shtatë raste të konfirmuara të Omicronit, të lidhura me dy biznesmenë të kthyer nga Afrika e Jugut.

Zyrtarët e shëndetit publik thonë se vaksinimet, së bashku me respektimin e rregullave nga publiku, duke përfshirë mbajtjen e maskës në turma brenda ose jashtë, janë çelësi për reduktimin e numrit të infeksioneve, ndërkohë që dimri shtyn organizimin e aktiviteve në ambiente të mbyllura. / VOA/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco