Lëvizje e lirë në Melburn të Australisë pas nëntë muajsh izolimi

Lëvizje e lirë në Melburn të Australisë pas nëntë muajsh izolimi

17:24, 24/10/2021
A+ Aa A-

Pas gati nëntë muajsh masazh izoluese, popullsia pesë milionëshe e qytetit australian Melburn do të lejohet të qarkullojë lirisht dhe pa maska në mjediset e jashtme. Kryeministri i shtetit australian Viktoria njoftoi se kjo vjen si rezultat i ritmit të shpejtë të vaksinimit, me gati 80% të popullsisë të vaksinuar plotësisht.

Qyteti i Melburnit ka mbajtur në fuqi disa nga masat më të forta të izolimit në botë në përballjen me COVID-19ën. Kryeministri i shtetit australian Viktoria, kryeqyteti i të cilit është Melburni, njoftoi se nga java e ardhshme do të fillojë lehtësimi i kufizimeve, ndërsa po arrin në 80% niveli i vaksinimit të plotë të popullsisë.

“Kemi një marrëveshje me komunitetin viktorian. I kërkuam të vaksinohet dhe ata e bënë në kohë rekord e në shifra rekord. Kjo do të thotë se tashmë duhet ta hapim vendin”, tha Daniel Andreës, kryeministër i shtetit australian Viktoria.

Me një popullsi prej rreth pesë milionë banorësh, Melburni kaloi 262 ditë, ose pothuajse nëntë muaj, me udhëzime për izolimin e njerëzve në banesa që nga marsi i 2020-tës, duke ia kaluar edhe rekordit të Buenos Airesit.

Duke filluar nga e premtja, më 29 tetor, kur pritet të jetë vaksinuar plotësisht 80% e popullsisë së Viktorias, banorët e kryeqytetit Melburn do të lejohen të udhëtojnë lirisht dhe maskat nuk do të jenë më të detyrueshme në ambiente të jashtme.

“Duhet të vendosim një sërë rregullash të reja dhe parametrash, të cilat do të jenë lehtësisht të zbatueshme, të thjeshta dhe të kuptueshme, sa më pranë të jetë e mundur me jetën normale”, tha Kryeministri Andreës.

Tashmë që procesi i vaksinimi po zhvillohet me ritëm të plotë, autoritetet në mbarë Australinë nuk do të mbështeten më tek masat izoluese për të frenuar përhapjen e virusit. Shteti australian Viktoria regjistroi të dielën 1935 raste të reja infektimi nga koronavirusi, si dhe 11 vdekje. Vendi pritet të funksionojë me parametrat e një “ekonomie të vaksinuar”, ku vetëm personat e vaksinuar do të lejohen në mjedise të caktuara. Ndërsa mendohet se shteti Viktoria do të arrijë nivelin 90% të vaksinimit deri në fund të nëntorit, kryeministri Andreës shtoi se shpreson të shikojë në 26 dhjetor mbi 80 mijë tifozë të mbledhur për të ndjekur ndeshjet e boksit Australi-Angli. /Voa/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco