Ngjarje si në filma/ Shkëmbim zjarri mes anëtarëve të një bande dhe policisë në Meksikë

Ngjarje si në filma/ Shkëmbim zjarri mes anëtarëve të një bande dhe policisë në Meksikë

12:59, 24/10/2021
A+ Aa A-

Një shkëmbim zjarri mes anëtarëve të një bande dhe forcave të zbatimit të ligjit pranë kufirit verior të Meksikës i ka marrë jetën tre anëtarëve të Kartelit të fuqishëm të Gjirit dhe një kalimtari.

Incidenti u shënua mbrëmjen e së premtes në qytetin kufitar Matamoros, kur anëtarët e ushtrisë dhe oficerët e policisë u përpoqën të ndalonin disa automjete për inspektim.

Anëtarët e bandës qëlluan mbi forcat e sigurisë dhe u vënë flakën disa makinave, ndërsa disa arritën të arratiseshin në këmbë në qendër të Matamoros.

Ky është incidenti i dytë, në Matamoros në më pak se një javë. Të dielën e kaluar, videot në rrjetet sociale treguan një sërë makinash që po kalonin me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit dhe dëgjoheshin të shtëna.

Nga viti 2019 deri në mars të këtij viti, Matamoros është vendbanimi i një numri të madh emigrantësh, të cilët janë urdhëruar të qëndrojnë në Meksikë, ndërsa presin që të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil në SHBA. Kjo është e përcaktuar në një protokoll që lëshoi asokohe administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Programi është kritikuar ashpër nga mbështetësit e emigrantëve, pasi sipas tyre, i dërgon azilkërkuesit në qytetet kufitare ku mbizotëron krimi dhe ata janë të detyruar të qëndrojnë për një kohë të gjatë derisa të shqyrtohen kërkesat e tyre.

Presidenti i SHBA, Joe Biden është përpjekur t’i japë fund programit, por qeveria e tij aktualisht po ndërmerr hapa për të respektuar një vendim gjykate që do ta mbante politikën në fuqi deri në mes të nëntorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco