‘New York Times’: Ja si Londra i fsheh paratë e vjedhura nëpër botë

‘New York Times’: Ja si Londra i fsheh paratë e vjedhura nëpër botë

15:42, 17/10/2021
A+ Aa A-

Në vitin 1969, dy vjet pas Ishujve Kajman, një territor britanik miratoi ligjin e tij të parë për të lejuar strehimin e institucioneve financiare off-shore, një raport zyrtar i qeverisë bëri një paralajmërim ogurzi. Një varg kompanish të ngritura nga investitorët privatë, ishin duke pastruar paratë e pista në atë territor.

Kajman po bëhej shumë shpejt një shtet i kapur nga financat e dyshimta. Ato ishin fillimet e një sistemi modern që është demaskuar sërish nga “Pandora Papers”, përmes një rrjedhje të madhe të të dhënave konfidenciale, e koordinuar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë.

Këto dokumente ekspozuan një marrëveshje të fshehtë dhe të diskutueshme financiare nga më shumë se 330 politikanë dhe zyrtarë publikë nga mbi 90 vende dhe territore, si dhe mbi 130 miliarderë nga Rusia, Shtetet e Bashkuara etj. Pjesë e kësaj skeme të fshehjes së pasurisë ishin një grup marramendës njerëzish të njohur, madje edhe ata që supozohet se duhej ta luftonin këtë fenomen.

 

Zbulimet e bëra publike më 3 tetor, kanë një shtrirje globale. Por nëse ka një vend që është në zemër të këtij sistemi, ai është Britania. E marrë së bashku me territoret e saj pjesërisht të kontrolluara jashtë shtetit, Britania është e rëndësishme në fshehjen mbarëbotërore të parave dhe aseteve.

Ajo është, siç tha një anëtar i Partisë Konservatore në pushtet javën e kaluar, “kryeqyteti i pastrimit të parave në botë”. Dhe Londra, qendra financiare, është në qendër të sistemit. Për Britaninë, sektori i fryrë financiar i së cilës përkeqëson problemet e përhapura ekonomike, kjo është diçka shumë negative.

Për botën, që gjendet në mëshirën e një sistemi ekonomik të manipuluar për llogari të të pasurve, është edhe më keq. Struktura e parajsave fiskale është shumë e ndërlikuar. Shumë instrumente të ndërlikuara dhe të errëta – duke përfshirë fondacionet off-shore, dhe kompanitë guacka – plus sekreti bankar dhe rregullimi neglizhent financiar,fsheh pasuritë e të pasurve përmes rregulloreve të mjegullta.

Qendra për të gjitha janë parajsat tatimore, të tilla si Ishujt Kuk, Ishujt e Virgjër Britanikë dhe Xhersi (një nga Ishujt e Kanalit), mund të funksionojnë edhe si limane për kontrabandistët. Të pasurit dhe kriminelët i çojnë paratë e tyre atje për t’i mbrojtur, por edhe për të shpëtuar nga rregullat, ligjet dhe taksat që nuk u pëlqejnë.

Pasuria që mbahet në parajsat fiskale është marramendëse:Vlerësimet variojnë nga 6 trilionë dollarë në 36 trilionë dollarë. Dhe disa parajsa tatimore janë më afër shtëpisë sonë sesa do ta imagjinonim. Shtetet e Bashkuara, me kompanitë e tyre të errëta në Deluaer dhe fondacionet në Dakotën e Jugut, kanë përfaqësuar prej kohësh një pjesë e madhe të këtij sistemi të fshehjes së parave.

 

Një grup vendesh evropiane, përfshirë Luksemburgun, Irlandën dhe Zvicrën, ofrojnë një alternativë tjetër të fshehjes së parave. Natyrisht Azia, ka Hong Kongun dhe Singaporin. Por rrjeti britanik është padyshim më i madhi. Indeksi i Fshehtësisë Financiare i Rrjetit Tatimor të Drejtësisë, që bën renditjen periodike të parajsave fiskale, tregon se Britania dhe “rrjeta merimangë” e degëve të saj off-shore renditen të parat në botë.

Mbi 2/3 e 956 kompanive që “Pandora Papers” i lidh me zyrtarët publikë janë krijuar në Ishujt e Virgjër Britanikë. Dhe qendra e koordinimit është “City of London”, qendra e financave britanike. Përmes listimit ndërkombëtar të tregut të aksioneve, tregtimit të monedhës, emetimit të bonove dhe më shumë, City merret me aktivitete financiare krejtësisht të respektueshme nga e gjithë bota.

Por është gjithashtu qendra kryesore nervore e sistemit më të errët global të kompanive off-shore, që fshehin dhe ruajnë pasurinë e vjedhur të botës. Dikur zemra e financimit të Perandorisë Britanike, City është shndërruar si një kanal vendimtar për kapitalin ndërkombëtar të të gjitha llojeve.

Momenti kyç erdhi kur në mesin e procesit të dekolonizimit, Banka e Anglisë e la vendin të jetë mikpritës i tregut të ri të euro-dollarit. Ajo ishte një hapësirë off-shore gati e parregulluar dhe shumë fitimprurëse, e ndarë nga ekonomia britanike, dhe ku bankat e huaja, kryesisht ato amerikane, mund të bënin gjëra që nuk mund t’i bënin dot në SHBA.

Në vitet 1970, ky treg me një rritje të shpejtë filloi që të shkrihej me parajsat fiskale britanike, por edhe të tjera, në një rrjet të përsosur global. Parajsat fiskale britanike, kanë funksionuar që atëherë si grumbulluese të aseteve për aktivitete të ndryshme financiare nga e gjithë bota, të ligjshme apo jo.

Ato kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme. Të ardhurat e humbura nga taksat janë tronditëse: Korporatat i përdorin parajsat tatimore për të kursyer rreth 245 deri në 600 miliardë dollarë në vit. (Një marrëveshje e re globale mbi një normë minimale prej 15 për qind të taksës mbi korporatat do t’i frenonte ato humbje).

Edhe individët mbajnë shuma të mëdha në këto parajsa fiskale. Por taksa është vetëm një pjesë e historisë. Loja globale e mashtrimit, e luajtur për dekada nga të pasurit dhe funksionarët e tyre në Londër, e ka gërryer sundimin e ligjit dhe e ka zhdukur besimin e qytetarëve tek sistemi.

Pas krizës financiare globale të vitit 2008, i cila nxori në pah tepricat ekstravagante të sistemit financiar, u bënë disa përpjekje për reforma. “Babëzia e Londrës”, siç e quajti kryetari i një agjencie rregullatore amerikane, Gary Gensler, u frenua.

Por tani që po zbehen kujtimet e krizës dhe kur po ndihen efektet negative të Brexit, qeveria dëshiron që t`i ringjallë praktikat më të errëta të Londrës. “Një kapitull i ri për shërbimet financiare”, një dokument udhëzues i botuar në korrik të këtij viti, sinjalizoi qartazi një rikthim në kohët e vjetra.

Termat “konkurueshmëria” dhe “konkuruese”mbi taksat e ulëta, rregullimin e dobët dhe zbatimin e dobët të tyre shfaqen mbi 15 herë. Përkrahja e Britanisë ndaj fshehjes së parave është vetë-mposhtëse. Qendra e saj financiare tepër “konkurruese” është në fakt një mallkim për vendin, dhe pasojat janë pabarazia rajonale, një ekonomi e zhbalancuar, rënia e produktivitetit, investimet e bllokuara, inflacioni i çmimeve të aseteve dhe korrupsioni politik.

Pas viteve të masave të kursimit, dhe në mesin e mungesave serioze në ushqime dhe karburant, Britania nuk mund të përballojë një zgjerim të aktiviteteve të paligjshme në Londër. Por ajo që vuan më shumë nga kjo praktikë është bota.

Për biznesmenët me shumë dritë-hije dhe udhëheqësit politikë që kanë shërbyer gjatë në detyrë, ekosistemi i parajsave fiskale siguron mosndëshkim, mbulim të kapitalit dhe mbrojtje të pasurisë. I papërgjegjshëm dhe shpesh i pagjurmueshëm, ky sistemi siguron që prosperiteti të mbetet rezervë i atyre pak njerëzve. Për t’i dhënë fund pabarazisë dhe padrejtësisë, të ekspozuara aq qartë nga pandemia e Covid-19, ne duhet t’i mbyllim parajsat fiskale dhe t’u kundërvihemi atyre në Londër që i mbrojnë ato. / (Nga Nicholas Shaxson – “New York Times”)

Shënim: Nicholas Shaxson, është pjesëtar i Rrjetit të Drejtësisë Fiskale dhe bashkëthemelues i Projektit të Ekonomisë së Balancuar, një organizatë kundër monopoleve. Ai është autor i librave “Ishujt e thesarit:Parajsat fiskale dhe njerëzit që vodhën botën”, dhe “Mallkimi i financave:Si financat globale po na bëjnë të gjithëve më të varfër”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco