Apple heq aplikacionin e Kuranit në Kinë

Apple heq aplikacionin e Kuranit në Kinë

10:56, 16/10/2021
A+ Aa A-

 Apple ka bllokuar një nga aplikacionet më popullorë të Kuranit në botë për shkarkim në Kinë, pas një kërkese zyrtare.

Quran Majeed është i disponueshëm në gjithë botën për t’u shkarkuar nga App Store dhe ka rreth 150 mijë vlerësime.

Ai përdoret nga miliona besimtarë myslimanë.

BBC ka mësuar se aplikacioni është hequr për territorin kinez për shkak se përmban tekste fetare të paligjshme.

Qeveria kineze nuk i është përgjigjur kërkesës për të komentuar.

Fshirja e aplikacionit u vu re fillimisht nga Apple Censorship – një website që monitoron aplikacionet e App Store globalisht.

Në një deklaratë nga krijuesi i aplikacionit, PDMS, kompania tha:

“Sipas Apple, aplikacioni ynë Quran Majeed është hequr nga App Store për Kinën pasi përfshin përmbajtje që kërkon dokumentacion shtesë nga autoritetet kineze. Po përpiqemi të kontaktojmë me Administratën e Hapësirës Kibernetike të Kinës dhe me autoritetet përkatëse për ta zgjidhur çështjen”.

Kompania tha se ka rreth një milion përdorues në Kinë.

Partia Komuniste e Kinës e njeh zyrtarisht Islamin si besim fetar në vend.

Megjithatë, Kina është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, e madje edhe gjenocid, kundër grupit etnik kryesisht mysliman Ujgur, në Xinjiang.

Apple nuk komentoi, por e adresoi BBC te seksioni i saj për Politikën e të Drejtave të Njeriut, ku thuhet:

“Neve na kërkohet të veprojmë sipas ligjeve lokale dhe shpeshherë ka çështje të ndërlikuara për të cilat ne mund të mos jemi dakord me qeveritë”.

Megjithatë, nuk është e qartë se cilat rregulla ka shkelur aplikacioni në Kinë.

Quran Majeed thotë se është “i besuar nga 35 milionë myslimanë në gjithë botën”.

Muajin e kaluar, Apple e Google hoqën një aplikacion taktik votimi të krijuar nga Aleksei Navalni, lideri i burgosur i opozitës ruse.

Autoritetet ruse kërcënuan të gjobisnin dy kompanitë nëse refuzonin ta hiqnin aplikacionin, i cili iu tregonte përdoruesve se kush mund të fitonte kundër kandidatëve të partisë në pushtet.

Kina është një nga tregjet më të mëdhenj të Apple dhe zinxhiri i furnizimit të kompanisë varet shumë nga prodhimet kineze.

Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, është akuzuar për hipokrizi nga politikanët në SHBA se flet për politikën amerikane por hesht për atë kineze.

Cook kritikoi ndalimin nga Donald Trump të shtatë vendeve me shumicë myslimane më 2018.

Megjithatë, ai akuzohet edhe për bindje ndaj qeverisë kineze për censurën dhe që nuk e kritikon atë publikisht për trajtimin e pakicave myslimane.

New York Times shkruante më herët se Apple heq nga Kina aplikacione që konsiderohen se e kanë kaluar cakun nga qeveria kineze.

Çështjet që nuk mund të diskutohen në aplikacione përfshijnë sheshin Tienanmen, lëvizjen shpirtërore Falun Gong, Dalai Lamën dhe pavarësinë e Tiberit dhe Tajvanit.

Benjamin Ismail, drejtor projekti në Apple Censorship, thotë: "Aktualisht Apple po kthehet në zyrën e censurës për Pekinin. Ata duhet të bëjnë gjënë e duhur e pastaj të përballen me çfarëdo reagimi të qeverisë kineze”.

Një tjetër aplikacion fetar u hoq nga Kina këtë javë, Olive Tree's Bible.

Kompania tha për BBC se e kishin hequr vetë aplikacionin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco