Talibanët thonë se nuk do të bashkëpunojnë me SHBA kundër Shtetit Islamik Viktimat e sulmit te fundit te ISIS ne nje xhami ne Afganistan

Talibanët thonë se nuk do të bashkëpunojnë me SHBA kundër Shtetit Islamik

13:50, 09/10/2021
A+ Aa A-

Islamabad - Talibanët të shtunën e përjashtuan bashkëpunimin me SHBA për të kontrolluar grupet ekstremiste në Afganistan, duke mbajtur një qëndrim pa kompromis për një çështje kryesore, përpara bisedimeve të para të drejtpërdrejta midis ish-armiqve që kur Amerika u tërhoq nga vendi në gusht.

Zyrtarë të lartë talebanë dhe përfaqësues të SHBA do të takohen të shtunën dhe të dielën në Doha, kryeqyteti i shtetit të Katarit të Gjirit Persik.

Zyrtarët nga të dy palët kanë thënë se çështjet përfshijnë frenimin e grupeve ekstremiste dhe evakuimin e shtetasve të huaj dhe afganëve nga vendi. Talibanët kanë sinjalizuar të tregohen fleksibël për evakuimet.

Zëdhënësi politik i talebanëve Suhail Shaheen tha për Associated Press se nuk do të ketë bashkëpunim me Uashingtonin kundër Shtetit Islamik në Afganistan.

 ISIS ka marrë përgjegjësinë për një numër sulmesh, përfshirë një shpërthim vetëvrasës që vrau 46 myslimanë shiitë të pakicës dhe plagosi dhjetëra teksa ata luteshin në një xhami.

"Ne jemi në gjendje të luftojmë Daeshin në mënyrë të pavarur," tha Shaheen, kur u pyet nëse talebanët do të punonin me SHBA për të kontrolluar degën e Shtetit Islamik. Ai përdori një shkurtim arab për ISIS.

ISIS ka kryer sulme të pamëshirshme ndaj myslimanëve shiitë në vend që kur u shfaq në Afganistanin lindor në 2014. ISIS është parë gjithashtu si kërcënimi më i madh për Shtetet e Bashkuara.

Takimet e fundjavës në Doha janë të parat që kur forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani në fund të gushtit.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se bisedimet nuk janë një parathënie për njohjen.

Bisedimet vijnë gjithashtu pas dy ditëve të diskutimeve të vështira midis zyrtarëve pakistanezë dhe Zv.Sekretarit amerikan të shtetit Ëendy Sherman në Islamabad.

Fokusi i atyre bisedimeve ishte edhe Afganistani.

 Zyrtarët pakistanezë i bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të angazhohen me qeveritarët e rinj të Afganistanit dhe të çlirojnë miliarda dollarë në fonde ndërkombëtare për të parandaluar një krizë ekonomike.

Pakistani gjithashtu kishte një mesazh për talebanët, duke i nxitur ata që të bëhen më gjithëpërfshirës dhe t'i kushtojnë vëmendje të drejtave të njeriut dhe grupeve etnike dhe fetare të pakicave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco