U tha se kishte probleme mendore/ Nuk degjohet as lutja e Papës, ekzekutohet i dënuari në SHBA

U tha se kishte probleme mendore/ Nuk degjohet as lutja e Papës, ekzekutohet i dënuari në SHBA

08:48, 06/10/2021
A+ Aa A-

Një burrë nga Missouri i Shteteve të Bashkuara është ekzekutuar, pasi ishte shpallur fajtor për vrasjen e tre personave. Zbatimi i dënimit më të rëndë u krye pavarësisht thirrjeve të avokatëve për pezullim, duke thënë se i dënuari kishte probleme në zhvillimin mendor.

Ernest Johnson mori injeksion vdekjeprurës të martën, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara refuzoi më herët gjatë ditës që ta shqyrtonte pezullimin e dënimit, shkruan BBC.

Lutjet e të dënuarit për zbutje të dënimit kishin marrë përkrahje edhe nga Papa Françesku dhe dy anëtarë të Kongresit.

Johnson ishte shpallur fajtor për vrasjen e tre punëtorëve të një dyqani gjatë një grabitjeje të kryer në vitin 1994.

Avokatët e të dënuarit kanë pretenduar se ai nuk i plotëson kushtet për dënim me vdekje, sepse disa teste të inteligjencës kanë treguar se ai ka kapacitet mendor të një fëmije dhe ende lexon si një nxënës i klasës së tretë.

Johnson ishte lindur me sindromin e alkoolit fetal, pasi nëna e tij kishte pirë shumë alkool gjatë shtatzënisë. Atij gjithashtu i mungonte një e pesta e indit trunor nga viti 2008, pasi i ishte nënshtruar një operacioni për largimin e tumorit në tru.

Një përfaqësues i Papës i shkroi javën e kaluar guvernatorit të Missourit, duke i thënë se Papa “dëshiron ta paraqesë para jush faktin e thjeshtë të humanitetit të Johnsonit dhe shenjtërinë e tërë jetës njerëzore.”

Johnson kishte kërkuar që të ekzekutohej me pushkatim, por kërkesa e tij u refuzua nga Gjykata Supreme e Missourit, prandaj dënimi u zbatua me injeksion vdekjeprurës./Gazeta Expres/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco