Raportimet/ Talibanët po armatosin militantët në kufi me Taxhikistanin

Raportimet/ Talibanët po armatosin militantët në kufi me Taxhikistanin

09:28, 05/10/2021
A+ Aa A-

Talibanët u kanë ofruar militantëve taxhikë me bazë përgjatë kufirit Afganistan – Taxhikistan automjete të reja ushtarake dhe pajisje të tjera gjatë dy javëve të fundit, thonë burimet e sigurisë në këto dy shtete.

Burimet i thanë të hënën Radios “Evropa e Lirë” se talibanët gjithashtu kanë larguar luftëtarë etnikë ujgurë nga një zonë afër kufirit të shkurtër të Afganistanit me Kinën, transmeton Gazeta Express.

Militantët taxhikë në provincën veriore afgane të Badakhshanit janë parë me automjete dhe armatim të prodhimit amerikan, përfshirë automjetet e tipit “Humvee”, madje disa militantë janë parë edhe me uniforma amerikane të betejës, sipas një zyrtari në shërbimin kufitar të Taxhikistanit.

Militantët, të cilët më parë janë parë me armë “Kalashnikov” dhe automjete të vjetra, i morën furnizimet e reja gjatë dy javëve të fundit, sipas zyrtarit taxhik, i cili foli në kushte anonimiteti, sepse nuk ishte i autorizuar që të fliste për medie.

Besohet se pajisjet e reja janë sekuestruar prej talibanëve nga forcat qeveritare afgane gjatë ofansivës së grupit militant në mbarë vendin, që përfundoi me ardhjen e tyre në pushtet në gusht.

Burimet taxhike dhe afgane thonë se së paku 200 militantë nga Taxhikistani janë tash për tash të shpërndarë përgjatë kufirit mes dy shteteve.

Ardhja në pushtet e talibanëve në Afganistan ka shkaktuar alarm në shtetet fqinje për shkak të rrezikimit të mundshëm të sigurisë dhe për hyrjen e mundshme të dhjetëra mijëra refugjatëve afganë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco