Hungaria nënshkruan marrëveshje për gaz nga Rusia

Hungaria nënshkruan marrëveshje për gaz nga Rusia

20:18, 27/09/2021
A+ Aa A-

Hungaria nënshkroi një marrëveshje të re 15-vjeçare për furnizim me gaz nga Rusia.

Marrëveshja u nënshkrua të hënën në Budapest nga drejtuesit e gjigantit rus të gazit, Gazprom, dhe grupi hungarez i energjisë, MVM.

Ministria e Jashtme e Ukrainës, e cila do të humbasë miliona nga pagesat e tranzitit, tha se marrëveshja është një “vendim thjesht politik, ekonomikisht i paarsyeshëm”, që është marrë “në dëm të interesave kombëtare të Ukrainës dhe marrëdhënieve Ukrainë-Hungari”.

Sipas saj, marrëveshja do të ketë “ndikim të madh në sigurinë energjetike të Ukrainës dhe Evropës”.

Ministria ukrainase po ashtu tha se do t’i kërkojë Komisionit Evropian që të vlerësojë nëse marrëveshja respekton legjislacionin evropian të energjisë.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha në një konferencë për media se për Hungarinë siguria energjetike “është çështje sigurie, sovraniteti dhe ekonomie, e jo çështje politike”.

“Ju nuk mund t’i ngrohni shtëpitë me deklarata politike”, tha Szijjarto.

Një deklaratë e Gazprom-it citoi shefin e kompanisë, Aleksei Miller, të ketë thënë se Hungaria “do të fillojë të marrë gazin e Gazprom-it duke nisur nga 1 tetori, përmes Rrjedhës Turke dhe tubacioneve të Evropës Juglindore”.

Rusia, e cila deri vonë ka shpërndarë gaz natyror kryesisht përmes Ukrainës, ka shtuar rrugët e eksportit, duke ndërtuar tubacionin Rrjedha e Veriut drejt Gjermanisë dhe Rrjedha Turke drejt Turqisë.

Hungaria, për shumicën e importeve të gazit, është mbështetur te Rusia. Dërgesat janë bërë nga një tubacion përmes Ukrainës.

Por, viteve të fundit, edhe ajo ka shtuar importet e gazit, duke siguruar furnizime nga kompania anglo-holandeze, Royal Dutch Shell, nëpërmjet një terminali të gazit të lëngëzuar në Kroaci.

Bashkimi Evropian nuk e ka komentuar ende marrëveshjen e re të Hungarisë me Rusinë. /Rel/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco