Kartat e vaksinimit të Hungarisë mbushin stadiumet dhe restorantet, por ngrenë dhe shqetësime

Kartat e vaksinimit të Hungarisë mbushin stadiumet dhe restorantet, por ngrenë dhe shqetësime

14:56, 22/06/2021
A+ Aa A-

Budapest, Hungari - Dhjetëra mijëra tifozë të futbollit mbushën Puskas Arena në Budapest javën e kaluar për të marrë pjesë në ndeshjet e Euro 2020. Ishte ngjarja e parë e futbollit ndërkombëtar me vend të plotë në Evropë në më shumë se një vit - e bërë e mundur kryesisht nga miratimi i kartave të imunitetit të lëshuara nga qeveria hungareze.

I vetmi nga 10 vendet pritëse të turneut që lejon turma të plota në stadiume, Hungaria ka kryer një nga vaksinimet më të suksesshme të Evropës për COVID-19. Kartat e imunitetit vërtetojnë se bartësit e tyre kanë marrë të paktën një dozë vaksine ose janë rikuperuar nga COVID-19 dhe u lejon atyre të hyjnë në aktivitete sportive si dhe në shërbime e vende të tilla si hotele, llixha, koncerte, teatro dhe restorante.

Megjithatë ndërsa kartat kanë lejuar shumë njerëz që t’u rikthehen shumë aspekteve të jetës para-pandemike, të tjerët shqetësohen se përdorimi i tyre mund të ndikojë në të drejtat themelore.

"Kishte shumë ankth në shoqëri për diskriminimin e mundshëm," tha David Vig, drejtori i grupit të të drejtave Amnesty International Hungari. "(Qeveria) tha se "do të ketë një dallim midis njerëzve: Atyre që e kanë kartën e vaksinimit dhe atyre që nuk e kanë.

Prokurimi i vaksinave nga Hungaria prej Rusisë dhe Kinës si dhe përmes Bashkimit Evropian, i dha asaj shpejt shkallën e dytë më të lartë të vaksinimit në bllokun me 27 anëtarë pas Maltës. Më shumë se 66% e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Por në javët e fundit, pasi shumica e atyre që dëshirojnë të vaksinohen tashmë kanë marrë një dozë, ritmi i vaksinimit është ngadalësuar në mënyrë dramatike. Shifrat qeveritare tregojnë se rreth 2 milionë njerëz ende nuk kanë një kartë imuniteti, e cila i kufizon ata nga shumë mundësi që i kanë ata që kanë kartat e imunitetit.

Këto kufizime të vazhdueshme për të pavaksinuarit qëndrojnë në themel të strategjisë së qeverisë për të siguruar stimuj për t’u vaksinuar, tha Vig.

"Karta e vaksinimit dhe strategjia prapa saj ishte e mirë nga këndvështrimi i qeverisë. Kjo është për t’i shtyrë njerëzit drejt vaksinimit, ”tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco