Lajmi i fundit

LIVE/ Bylykbashi, Kaso dhe Çupi, konferencë për media në PD

The Economist: Një Covid i gjatë

The Economist: Një Covid i gjatë

07:25, 12/06/2021
A+ Aa A-

Kujdesi shëndetësor dhe vendet e punës duhet të përshtaten për një Covid të gjatë. 1.5% e personave në moshë pune kanë simptoma që zgjasin

Ndërsa bota hyn në vitin e dytë të pandemisë, po shfaqen dy kriza. Kriza më urgjente dhe e dukshme është në vendet e varfra si India, ku rritja e rasteve me Covid-19 po mbingarkon vendin. India po regjistron më shumë se 350,000 raste në ditë dhe një numër më i madh se kaq dyshohet se nuk raportohet fare. Vuajtja është e rëndë. Furnizimet me oksigjen në spitalet indiane nuk po plotësojnë nevojat dhe krematoriumet janë të mbingarkuara, shkruan The Economist.

Kriza tjetër është më delikate. Bëhet fjalë për një Covid të gjatë, i cili po bëhet i dukshëm në vendet e pasura si Amerika, Britania dhe Izraeli, të cilët kanë vaksinuar një pjesë të mirë të popullsisë në përpjekjen për të dalë nga pandemia, por kriza pritet të prekë edhe vendet e varfra. Sindroma post-Covid është një grup simptomash që mund të prekin çdo pjesë të trupit dhe vazhdojnë për të paktën tre muaj pas infeksionit me Covid-19. Tre janë simptomat kryesore: vështirësi në frymëmarrje, lodhje dhe “mjegullim i trurit”.

Në Britani, tre në çdo pesë persona me Covid të gjatë, raportojnë se aktivitetet e zakonshme janë disi të kufizuara, dhe një në pesë persona thonë se aktivitetet e tyre janë të kufizuara “shumë” – gjë që shpesh do të thotë se nuk janë në gjendje të kryejnë as një punë me kohë të pjesshme, ulur në tavolinë.

Shifrat janë alarmante. Gjysmë milion njerëz në Britani kanë përjetuar një Covid të gjatë për më shumë se gjashtë muaj. Shanset për shërim të plotë janë ndoshta të ulëta. Pjesa dërrmuese janë në moshë pune. Sipas matjeve më të fundit (që nuk përfshijnë plotësisht valën e dytë të vendit) 1.1% e popullsisë së Britanisë kishte Covid të gjatë për të paktën tre muaj, një grup që përfshin 1.5% të personave në moshë pune. Rreth 15% e popullsisë së Britanisë ishte infektuar deri në këtë kohë. Zbatimi i kësaj norme në rastet globale me Covid-19, që tashmë kanë arritur shifrën 1.2 miliardë, tregon se më shumë se 80 milionë njerëz mund të kenë tashmë Covid të gjatë.

Kostot e kësaj gjendjeje nuk janë vlerësuar ende plotësisht, por ato do të jenë të mëdha. Instituti Kombëtar i Britanisë për Kërkime Shëndetësore zbuloi se, në 80% të të sëmurëve, sëmundja ndikonte në aftësinë për të punuar. Mbi një e treta thanë se kjo kishte rënduar te financat.

Nuk ka kurë për një Covid të gjatë. Bazuar në atë çfarë dinë shkencëtarët deri tani për sëmundjen, ajo është një kombinim i një infeksioni të vazhdueshëm viral (për të cilin mund të gjendet një ilaç në të ardhmen), një çrregullimi kronik autoimun (i cili do të kishte nevojë për kujdes të kushtueshëm dhe kompleks, si ai për artritin reumatoid ose sklerozën e shumëfishtë) dhe dëmtimi i zgjatur i disa indeve, i shkaktuar nga infeksioni fillestar me Covid-19. Mund të vijë koha kur do të gjenden ilaçet për dy nga simptomat e para. Vetëm Amerika ka investuar 1.15 miliardë dollarë në kërkime shkencore. Sidoqoftë, për momentin, të sëmurët kanë nevojë për rehabilitime disamujore për të përballuar simptomat.

Sistemet e kujdesit shëndetësor dhe punëdhënësit duhet të përgatiten për të ndihmuar të sëmurët me Covid të gjatë, përfshirë ata që nuk kanë prova të infeksionit në të kaluarën, sepse nuk kanë qenë në gjendje të testohen. Kujdesi i shpejtë rehabilitues mund të parandalojë përkeqësimin e rëndë në gjendjen shëndetësore dhe financiare të individëve. Krijimi i klinikave të posaçme për të trajtuar simptomat afatgjata të Covid-19 do t’i përshpejtonte gjërat në drejtimin e duhur. Sepse, tani për tani, pacientëve u duhet të shkojnë nga një specialist te tjetri në kërkim të një diagnoze.

Punëdhënësit, nga ana tjetër, duhet të rimendojnë mënyrën sesi i akomodojnë punonjës të tillë, që në periudha të paparashikueshme, nuk mund të punojnë në potencialin e plotë. Qeveritë mund të ndihmojnë në këtë aspekt, duke ofruar stimuj që i nxisin të sëmurët të qëndrojnë në punë dhe punëdhënësit të kujdesen për gjendjen e tyre. Nëse qeveritë nuk reagojnë, me miliona punonjës të rinj dhe të moshës së mesme mund të largohen përgjithmonë nga forca e punës. Një qasje mund të jetë skema për përfitimet për personat me aftësi të kufizuara, që përdoret në Holandë.

Punëdhënësve holandezë dhe punonjësve të cilët janë tepër të sëmurë për të punuar si normalisht, u kërkohet të hartojnë së bashku një plan se si punonjësi i sëmurë mund të rikthehet në punë në kushte të reja. Puna në distancë dhe oraret më fleksibël do ta bënin më të lehtë që të sëmurët me Covid të gjatë të punonin të paktën me kohë të pjesshme. Shumë prej tyre do të përmirësohen, megjithëse kjo mund të zgjasë edhe me muaj.

U bënë shumë gabime në fazën akute të pandemisë. Por ajo erdhi papritmas. Në përgjigjen kundër një Covidi të gjatë, nuk ka asnjë justifikim për dështimin. Dhe nuk ka më kohë për të humbur./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco