Punonin për heqjen e minave/ Vriten gjatë një sulmi 10 punëtorë afganë

Punonin për heqjen e minave/ Vriten gjatë një sulmi 10 punëtorë afganë

09:31, 09/06/2021
A+ Aa A-

Së paku 10 afganë që punonin në një agjenci për heqjen e minave janë vrarë nga ana e kryengritësve talibanë në provincën veriore Baghlan të Afganistanit.

Të paktën 14 të tjerë u plagosën kur kryengritësit sulmuan kampin e tyre dhe hapën zjarr, tha Ministria e Brendshme e Afganistanit.

Asnjë grup nuk e mori përgjegjësinë për sulmin. Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, i tha Radios Evropa e Lirë se grupi nuk është i përfshirë në këtë sulm.

Zëdhënësi i policisë së provincës, Jaëed Basharat tha se punëtorët ishin të angazhuar në organizatën ndërkombëtare të pastrimit të minave Halo Trust. Nga organizata nuk e kanë komentuar incidentin.

Sipas faqes së saj të internetit, organizata joqeveritare ka më shumë se 2,600 punonjës në Afganistan, një nga vendet më të minuara në botë.

Halo Trust thotë se stafi i saj rekrutohet nga qytete dhe fshatra ku ndodhen të vendosura minat tokësore.

Në muajt e fundit në provincën Baghlan kanë ndodhur luftime të ashpra mes talibanëve dhe forcave qeveritare.

Dhuna është rritur ndjeshëm në të gjithë Afganistanin që kur Shtetet e Bashkuara në muajin prill njoftuan planet për të tërhequr të gjitha trupat e tyre deri më 11 shtator.

Kryengritësit talibanë po luftojnë trupat qeveritare në 26 nga 34 provincat e Afganistanit, thonë zyrtarët e qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco