Shtëpia e Bardhë mbulohet nga misteri/ Dy zyrtarë të sigurisë sëmuren nga diçka e panjohur

Shtëpia e Bardhë mbulohet nga misteri/ Dy zyrtarë të sigurisë sëmuren nga diçka e panjohur

19:05, 18/05/2021
A+ Aa A-

Dy incidente janë shënuar pak muaj më parë në Shtëpinë e Bardhë që ka sjellë shqetësimin inteligjencës amerikane.

Mediat në SHBA raportojnë duke iu referuar burimeve se dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u sëmurën nga diçka e panjohur, njëri afër portës së kopshtit të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa tjetri duke kaluar një portë në anën jugore.

Të dyja ngjarjet ndodhën në nëntor dhe përfshinin zyrtarë të këshillit të sigurisë kombëtare. Rastet ishin në përputhje me një seri sulmesh të çuditshme, dobësuese kundër më shumë se 100 diplomatëve dhe personelit të inteligjencës amerikane.

Një hipotezë pretendon se ato erdhën nga sinjale mikrovalësh të drejtuara. “Ka dhe një impakt psikologjik lidhur me mënyrën se si ky sulm u bë dhe pse u zgjodh ai lokacion specifik. Kjo dërgon mesazhin se “ne mund t’iu afrohemi ju deri në Shtëpinë e Bardhë”, tha Jonathan Wackrow, ish-agjent i Shërbimit Sekret.

Quhet “sindroma Havana” sepse simptomat e pashpjegueshme filluan me zyrtarë diplomatikë amerikanë në Kubë rreth pesë vjet më parë.

Por sulme të ngjashme ndodhën edhe kundër diplomatëve amerikanë dhe oficerëve të inteligjencës në Rusi, Kinë dhe gjetkë. Simptomat përfshijnë hapje veshi, marrje mendsh, dhimbje koke të forta dhe të përziera, raporton CNN.

Marc Polymeropoulos, ish oficer i lartë i CIA-s, thotë se ai u sëmur ndërsa ishte në një hotel në Moskë në vitin 2017.

“Unë u zgjova në mes të natës dhe më merreshin mendtë.  Dhoma po rrotullohej. Doja të hidhesha lart dhe të shkoja në tualet, dhe nuk kisha provuar kurrë diçka të tillë. Unë kisha tringëllimë në veshë,” ka thënë ai.

Autoritetet federale amerikane kanë hapur një hetim se kush qëndron pas sulmeve me valë sonore. Thuhet se mund të jetë Rusia ose Kina. “Më të mirë në këtë fushë janë rusët. Do të dyshoja se janë rusët dhe se është një operacion i fshehtë i inteligjencës se sa me synimet për të lënduar dikë”, thotë Robert Baer, ish-oficer i CIA-s.

Rusia mohon çdo përgjegjësi, ashtu si Kina apo Kuba. Ekspertët nuk besojnë se presidenti Joe Biden rrezikohet nga ndonjë sulm i tillë brenda Shtëpisë së Bardhë.

Administrata e Biden ka rritur përpjekjet për të gjetur se çfarë i shkakton sëmundjet, dhe Drejtori i CIA-s Bill Burns ka filluar të marrë njoftime ditore mbi këtë çështje./ abcnews/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco