E rrallë: Familja siriane, kundër gjithë vorbullës së luftës, bashkohet në Greqi Abdul dhe gruaja e tij Kariman, 32 vjeçe, pozojnë me fëmijët e tyre në një apartament në Selanik të Greqisë më 1 maj 2021

E rrallë: Familja siriane, kundër gjithë vorbullës së luftës, bashkohet në Greqi

13:21, 13/05/2021
A+ Aa A-

E copëtuar në kaosin vdekjeprurës të një sulmi ajror, një familje siriane prej shtatë vetash është ribashkuar tre vjet më vonë, kundër vorbullës që i hodhi fati, në një vendstrehim refugjatësh në Selanik të Greqisë.

Kur aeroplanët e luftës zhurmonin mbi fshatin Dana afër Idlib në Siri në shtator të 2017-ës, Abdul Salam Al Khaëien ishte në shtëpi me pesë fëmijët e tij.

Gruaja e tij, Kariman, ishte për të bërë pazar në treg. Por bomba shpërtheu midis tezgave duke shpërndarë tej e tej kufomat dhe duke e lënë edhe gruan pa ndjenja.

Ajo e kaloi javën më pas duke u rikuperuar në një klinikë dhe në kohën kur u bë mirë e mund të dilte, I shoqi Abdul kishte ikur me fëmijët për sigurinë e tyre përtej kufirit turk, rreth 15 kilometra larg.

Tani në shtete të ndryshme, duke mos pasur telefona celularë, internet ose ndonjë mjet tjetër për të komunikuar ose mësuar se çfarë kishte ndodhur me njëri-tjetrin, znj. Kariman dhe Abduli e humbën shpresën se tjetri kishte mbijetuar.

Kjo, derisa, një ditë në gusht të vitit të kaluar, vëllai i znj. Kariman zbuloi një llogari në rrjetet sociale me një fotografi të djalit të saj të madh, Hamza.  Atë llogari e kishte hapur Abdul, i cili kishte arritur të arrinte në Greqi me fëmijët - pas përpjekjes së pestë, pasi kishte paguar kontrabandistët me 5,000 europër të hipur në një anije me 60 të tjerë - dhe i ishte dhënë azili në Greqi.

Gruaja kontaktoi menjëhërë me të shoqin.

"Unë kisha një ndjesi të mirë atë ditë," tha Abdul, një ish-shitës makinash 37-vjeçar nga një fshat afër Homs, për The Associated Press.

“Kur pashë mesazhin e saj për pak u çmenda nga gëzimi. Sidoqoftë, nuk u thashë fëmijëve. Mendova se do të ishte më mirë që ata ta zbulonin kur ajo të vinte në Greqi. "

Më parë, ai tha se sa herë që fëmijët e pyesnin për mamanë e tyre, ai u thoshte atyre se ishte në Siri dhe do t'u bashkohej atyre një ditë. "Por ata dyshonin se ajo kishte vdekur," tha ai. "Edhe unë i kisha humbur të gjitha shpresat."

Nëna 32-vjeçare ende përballej me një perspektivë të frikshme: Të bënte udhëtimin e rrezikshëm - dhe të paligjshëm - nga Siria në Turqi dhe më pas Greqi, e ndihmuar nga bandat, kontrabandistët.

"Ne nuk kishim para për t'i paguar," tha znj. Kariman, "dhe na duhej të gjenim ca."

Ajo qe në gjendje të mblidhte ca para dhe hyri në Turqi me refugjatë të tjerë sirianë, duke arritur më në fund në Stamboll.

"Prej andej, duke përdorur kontrabandues, u përpoqa të hyja në Greqi duke kaluar lumin Evros" që kalon përgjatë kufirit tokësor greko-turk, tha ajo.

Por ata iu kapën nga rojet kufitare greke dhe, sipas znj.Kariman, i kthyen përsëri një ditë më vonë në Turqi  si veprim i paligjshëm, kthim mbrapa.

Prova e saj i dytë u bë në nëntor 2020 dhe pati sukses.  Ajo eci, e gjeti rrugën e saj në këmbë, në errësirë, për në një fshat grek.

"Hyra në një kafene dhe u mbyta në lot", tha ajo. “Ata më pyetën nga isha, unë thashë Siria dhe ata më mirëpritën mua… Unë u ula në një ballkon me një grua dhe piva kafe e ajo më bëri të kuptoj, në gjuhën e shenjave, se tani isha i sigurtë. ”

Ajo qe në gjendje të kontaktonte me Filoxeneio, objektin e ngritur nga OJQ Arsis dhe komuna e Selanikut ku Abdul dhe fëmijët po jetonin dhe pasi u regjistrua në polici, familja më në fund u bashkua.

Koordinatori i Filoxeneio, Manolis Zougos tha se ai kurrë nuk kishte hasur në një histori të tillë gjatë 17 viteve që ai ka punuar me refugjatët.

"Deri në minutën e fundit e kishim menduar atë të vdekur, siç besonte edhe Abdul," tha ai. “Ai e kishte pasur të vështirë. Ai ishte vetëm dhe duhej të luante role të shumta për fëmijët e tij. ”

Edhe para sulmit ajror në Dana, familja kishte luftuar për t'i shpëtuar dhunës në luftën civile të Sirisë.

"Ne i ndryshuam vendet 28 herë, duke filluar nga fshati ynë afër Homs në 2011," tha Abdul. “Sapo kisha ndërtuar shtëpinë tonë atje, dhe ajo u shkatërrua. Sa herë që afroheshin trazirat, ne vazhdonim tutje. … Sapo dëgjonim një bombardim, ne kapnim batanijen, një çadër a një gjenerator, i vendosnim në makinë dhe largoheshim ”

Çifti e tregon historinë e vet me fëmijët përreth: Hamza 10 vjeç, Iman 8 vjeçe, Layan 7 vjeçe, Bayan 5 vjeçe dhe Safa 3 vjeç e gjysmë, të ulur afërtyre.

Tani Kariman është përsëri shtatzënë - "Unë do të doja një djalë", tha Abdul. Por udhëtimet e tyre mund të mos kenë mbaruar ende.

Abdul thotë se dëshiron të arrijë në Gjermani, ku jetojnë vëllai dhe motra e tij.

"Greqia është një vend shumë i sigurt, por është e vështirë të gjesh punë," tha ai. "Është e vështirë për ne".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco