Ministri i jashtëm gjerman: Idetë për prekje kufinjsh në Ballkan, jorealiste dhe të rrezikshme

Ministri i jashtëm gjerman: Idetë për prekje kufinjsh në Ballkan, jorealiste dhe të rrezikshme

20:11, 22/04/2021
A+ Aa A-

Heiko Maas, në një vizitë në Prishtinë, tha se idetë e hedhura për çështjet sociale dhe politike në ballkan që mund të zgjidhen me vizatim të vijave në harta, janë jo vetëm jo realiste por edhe të rrezikshme.

Ministri i jashtëm gjerman, gjatë konferencës me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, hodhi poshtë idenë për prekjen e kufijve si zgjidhje për çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor.

“Ne i konsiderojmë të rrezikshme edhe diskutimet që bëhen rreth tyre prandaj jam i lumtur që përpjekja e fundit në këtë drejtim, pavarësisht se nga kush u hap, shpejt të mbyllet në sirtarë dhe shpresojmë që të jetë një dosje e së kaluarës”, tha ministri Maas.

Debatet rreth kufijve ringritën pas shkrimeve në mediat kroate e boshnjake për një dokument joformal me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan.

Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

“Unë nuk e di nëse ka përpjekje të tilla. Fakti që gjithë kohën është folur për një ‘non-paper’ besoj se është edhe shprehja e duhur dhe duhet mbetur një ‘non paper’...”, tha ai, duke nënvizuar se idetë për prekje kufijsh, “Qeveria gjermane i refuzon në mënyrë të theksuar sepse një zgjidhje e tillë nuk do të çonte në atë që konfliktet të zgjidhen por të ashpërsohen. Prandaj ne e refuzojmë dhe gjatë debatit të fundit në Bashkimin Evropian është shprehur një mendim shumë i qartë se brenda BE-së askush nuk do të paramendonte që kjo mund të bëhet realitet”, tha ministri Maas.

Presidentja Osmani tha se çështja e dokumentit të pretenduar është diskutuar edhe me autoritetet e Sllovenisë.

“Përgjigja që kemi marr nga autoritetet sllovene është se një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Megjithatë ne e kemi ritheksuar në atë moment dhe do ta ritheksoj sërish se idetë të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për Republikën e Kosovës, janë të rrezikshme për gjithë rajonin por edhe përtej rajonit. Idetë e tilla i takojnë shekullit të XIX”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha se bisedimet me Serbinë kanë nevojë për një rifreskim dhe se Kosova do të shtrojë në tryezë çështjet që janë në interes të qytetarëve të saj.

“Ky proces i dialogut ka nevojë një reset, pra nuk është thjeshtë një vazhdimësi dhe të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani dhe do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta ku Republika e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme që kanë të bëjnë qoftë me ndryshim kufijsh”, tha ajo.

Ministri i jashtëm gjerman tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten pengesë për zhvillimin e rajonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco