Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

NASA realizon fluturimin e helikopterit të saj në Mars, mjeti i parë që fluturon mbi një tjetër planet

NASA realizon fluturimin e helikopterit të saj në Mars, mjeti i parë që fluturon mbi një tjetër planet

13:35, 19/04/2021
A+ Aa A-

NASA realizoi me sukses sot fluturimin e helikopterit të saj mbi sipërfaqen e Marsit, fluturimi i parë i një mjeti fluturues në një planet tjetër, arritje që zyrtarët e Agjencisë e krahasuan me fluturimin e parë të vëllezërve Wright më 1903.

Rreth orës 3:30 të mëngjesit, dy helikat prej fibrash karboni të helikopterit të quajtur Ingenuity, me peshë rreth 2 kg, nisën të rrotullohen furishëm derisa sa e ngritën atë mbi sipërfaqen e planetit të kuq, duke arritur deri në lartësinë 3 metra, ku qëndroi pezull e më pas u ul butë përtokë, një fluturim që zgjati gjithsej 30 sekonda, bëri të ditur NASA.

Inxhinierët e laboratorit të NASA-s në Kaliforni shpërthyen në duartrokitje pas mbërritjes së të dhënave të fluturimit, të cilave iu deshën rreth tri orë për të përshkuar 290 milion kilometrat nga Marsi në Tokë.

Atmosfera në sallë u ndez kur mbërriti një foto e bërë nga helikopteri, që tregonte hijen e tij në sipërfaqe, pasuar nga videoja e fluturimit, filmuar nga automjeti rover aty pranë.

Shkencëtarët thonë se testi i suksesshëm do ta ndihmojë Agjencinë Hapësinore të eksplorojë më shpejt Marsin në kërkim të shenjave të jetës së dikurshme.

Për të realizuar fluturimin e shkurtër, Ingenuity duhej të kapërcente atmosferën super të hollë të Marsit – sa 1 për qind e dendësisë së atmosferës së Tokës – çka e bën shumë më të vështirë për helikat e helikopterit, me 2500 rrotullime në minutë, të fitojnë qëndrimin në ajër që u duhet për të tërhequr lart mjetin.

Ingenuity, me katër këmbë dhe një panel diellor, me kosto 80 milion dollarë, e përshkoi udhëtimin drejt Marsit e futur në bagazhin e Mars Rover, automjeti robotik i NASAS në planetin e kuq.

Si homazh për vëllezërit Wright, të cilët realizuan fluturimin e aeroplanit të parë më 1903, Ingenuity kishte një copëz të vogël cohe nga aeroplani i dy vëllezërve, të kapur në një kabull nën panelin djellor.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, helikopteri mund të bëjë edhe pesë fluturime të tjerë javët e ardhshme, duke rritur çdo herë lartësinë e duke lëvizur horizontalisht para se të ulet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco