Pse po vdesin kaq shumë fëmijë nga Covid-19 në Brazil?

Pse po vdesin kaq shumë fëmijë nga Covid-19 në Brazil?

14:56, 15/04/2021
A+ Aa A-

Shkruan BBC

Më tepër se një vit nga fillimi i pandemisë, vdekjet në Brazil tashmë kanë arritur pikun. Por pavarësisht provave të shumta që Covid-19 rrallë është fatal për fëmijët e vegjël, në Brazil kanë vdekur nga virusi 1300 fëmijë.

Një doktor Jessika Ricartes, refuzoi të testonte për Covid djalin njëvjeçar, duke thënë se simptomat e tij nuk ishin ato të sëmundjes. Dy muaj më pas fëmija vdiq për shkak të komplikimeve nga sëmundja.

Doktori dyshoi se diçka nuk shkonte me Lucas, zakonisht hamës i madh, kur ai humbi oreksin.

Në fillim mendoi se duhej të ishte nga dhëmbët. Por pasi pati ethe, më pas humbje fuqie dhe pak vështirësi në frymëmarrje, Jessika e çoi në spital dhe kërkoi të testohej për Covid.

Por fëmija nuk kishte temperaturë, dhe doktori i tha që nuk kishte nevojë për test e se mund të ishte thjesht fyt pakëz i acaruar.

Ai i tha Jessikas se Covid-19 ishte i rrallë te fëmijët, i dha disa antibiotikë dhe e nisi në shtëpi.

Disa nga simptomat u zhdukën në fund të trajtimit 10-ditor, por lodhja mbeti, ashtu si dhe shqetësimi se mund të ishte i prekur nga virusi.

Burri i Jessikas, Israel, shqetësohej se një tjetër vizitë në spital do ta rriste rrezikun dhe ajo me Lucasin mund të infektoheshin. Por javët kaluan dhe Lucas ishte përherë e më i përgjumur. Më 3 qershor, Lucas nuk pushonte së vjelli pas hëngri ushqimin dhe Jessika e dinte që duhej të vepronte.

U kthyen në spital, ku doktori e testoi për Covid. Kumbara e fëmijës, që punonte atje si infermiere, u dha lajmin prindërve se Lucas kishte dalë pozitiv.

Lucas u transferua në reanimacionin e pediatrisë në Sobral, dy orë larg, ku diagnostikua me një gjendje të quajtur sindroma inflamatore multi-sistem (MIS). Kjo është një përgjigje ekstreme imune kundër virusit, e cila shkakton inflamacion në organet jetësore.

Ekspertët thonë se sindroma, e cila prek fëmijët deri në gjashtë javë pasi janë infektuar me coronavirus, është e rrallë, por epidemiologia Dr Fatima Marinho e Universitetit të San Paolos thotë se gjatë pandemisë ka parë më tepër raste MIS se kurrë më parë, ndonëse nuk ka qenë shkak për të gjitha vdekjet.

Dr. Manuela Monte që trajtoi Lucasin për më tepër se një muaj, tha se ishte e befasuar që gjendja e djalit ishte aq serioze, pasi ai nuk kishte ndonjë nga faktorët e rrezikut.

Shumica e fëmijëve të prekur nga Covid kanë kondita ekzistuese të tilla si diabeti apo sëmundje kardiovaskulare, ose janë mbi peshë. Por Lucas nuk kishte asgjë nga këto.

Gjatë 33 ditëve që Lucas ishte në repartin e reanimacionit të pediatrisë, Jessika u lejua ta shihte vetëm tri herë. Ai kishte nevojë për imunoglobulin-ilaç shumë i shtrenjtë-por fatmirësisht një pacient i rritur, që i kishte sjellë me vete të tijat, i dhuroi spitalit një që i mbeti. Më pas, Lucas u përmirësua dhe ia hoqën tubin e oksigjenit. Doktoresha thirri prindërit ta vizitonin. Kur u dëgjoi zërat, djali nisi të qante.

Image

Ishte hera e fundit që e shihnin djalin të reagonte. Më pas ai kaloi edhe një goditje në tru, por doktorët i siguruan se do të përmirësohej e shpejt do të dilte nga reanimacioni.

Kur Jessika dhe Israel shkuan ta vizitonin, doktoresha ishte gjithë shpresë.

‘Atë natë, e lashë pa zë celularin. Pashë ëndërr sikur Lucas erdhi te unë dhe më puthi në hundë. Ishte ëndërr me një ndjesi të madhe dashurie dhe u zgjova shumë e lumtur. Pastaj pashë celularin dhe vura re që kisha 10 telefonata nga doktoresha’, tregon Jessika.

Doktoresha i tregoi se rrahjet e zemrës së Lucasit dhe niveli i oksigjenit kishte rënë befasisht gjatë natës dhe ai kishte vdekur herët në mëngjes.

Ajo është e sigurt se sikur t’ia kishin bërë testin që herën e parë, në fillim të majit, ai do të kishte jetuar.

‘Është e rëndësishme që doktorët, edhe nëse besojnë që nuk është Covid, ta bëjnë testin për të eliminuar mundësinë’, thotë. ‘Bebet nuk mund të thonë se si ndihen, kështu që varemi nga testimet’.

Jessika beson se vonesa në trajtimin e duhur e rëndoi gjendjen e tij. ‘Lucas kishte disa inflamacione, 70% e mushkërisë ishte e kompromentuar, zemra iu rrit 40%. Ishte situatë që mund të ishte evituar’.

Dr Monte, e cila kuroi Lucasin, ka të njëjtin mendim. Ajo thotë se ndonëse MIS nuk mund të parandalohet, kurimi është shumë më i suksesshëm nëse gjendja diagnostikohet dhe kurohet herët.

Jessika tani dëshiron ta tregojë historinë e Lucasit për të ndihmuar të tjerët që mund të mos i vënë re simptomat kritike.

Ekziston mendimi i gabuar se fëmijët nuk kanë asnjë rrezik nga Covid, thotë Dr Fatima Marinho, e cila ka zbuluar se numri i fëmijëve e foshnjave të prekura nga virusi është shumë i lartë.

Midis shkurt 2020 dhe 15 march 2021, nga Covid-19 kanë vdekur të paktën 852 fëmijë brazilianë të moshës deri 9 vjeç, përfshirë 518 foshnja nën një vjeç, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë. Por Dr Marinho vlerëson se numri është dy herë më i madh. Ajo ka llogaritur eksesin e vdekjeve nga sindroma respiratore akute të paspecifikuara dhe ka zbuluar se kishte dhjetë herë më tepër vdekje nga këto shkaqe krahasuar me numrat e mëparshëm. Duke shtuar këto numra, ajo vlerëson se virusi në fakt ka vrarë 2,060 fëmijë nën 9 vjeç, përfshirë 1,302 foshnja.

Image

Ekspertët thonë se numri i madh i rasteve në Brazil, i dyti në botë, ka rritur gjasat që edhe foshnjat e fëmijët të infektohen.

Shkalla e lartë e infeksioneve e ka mbytur gjithë sistemin shëndetësor të Brazilit. Kudo në vend ka mungesa pajisjesh oksigjeni dhe ilaçesh bazë, ndërkohë që në repartet e animacionit nuk ka më shtretër.

Një tjetër problem është mungesa e testimeve te fëmijët.

Marinho thotë se për fëmijët diagnostikimi shpesh bëhet shumë vonë, kur ata janë të sëmurë rëndë. Për më tepër, është e lehtë të mos e vësh re sëmundjen te fëmijët, pasi ajo shfaqet disi ndryshe tek ata.

Por, shkaqe të rëndësishëm janë edhe varfëria dhe aksesi në kujdesin shëndetësor.

‘Më të prekshëm janë fëmijët e zinj dhe ata nga familje shumë të varfra. Këta rrezikohen më tepër nga vdekja’, thotë Marinho.

Ata janë të ushqyer keq, çka është e tmerrshme për përgjigjen imune. Kur ndihmat u ndërprerën, miliona u zhytën në varfëri. ‘Ne shkuam nga 7 milion në 21 milion njerëz nën limitin e varfërisë brenda një viti. Pra, njerëzit kanë uri. E gjitha kjo ndikon te vdekshmëria’.

Shkencëtarët theksojnë se rreziku i vdekjes në këtë grupmoshë është ende shumë i ulët – shifrat thonë se vetëm 0.58% e 345,287 vdekjeve nga Covid në Brazil kanë qenë të moshës 0-9 vjeç – por prapë ky numër përfaqëson mbi 2,000 fëmijë.

‘Numrat janë vërtet të frikshëm’, thotë Dr Cinara Carneiro, mjeke e repartit të reanimacionit në spitalin e fëmijëve Albert Sabin.

Përgatiti SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Plarenti15/04/2021 15:25

Boll se na hapët barkun me gënjeshtra mostruoze

Shto koment

Denonco