Japonia do të hedhë në det ujërat radioaktive të Fukushimës, Kina dhe Koreja Jugut në protestë

Japonia do të hedhë në det ujërat radioaktive të Fukushimës, Kina dhe Koreja Jugut në protestë

17:06, 13/04/2021
A+ Aa A-

Aksidenti i centralit bërthamor në Fukushima të Japonisë në marsin e 10 viteve më parë paralizoi vendin aziatik dhe tronditi opinionin publik botëror, që përjetoi për ditë të tëra makthin e një Çernobili të dytë.

Autoritetet japoneze me shumë vështirësi kanë arritur të shmangin daljen e materialeve radioaktive  nga struktura, por pas një dekade, uji që ka shërbyer për fikjen e reaktorit të dëmtuar, rreth 1 milion tonelata tashmë të ndotura, do të duhet të derdhet në det.

Vendimi i zyrtarizuar nga vetë kryeministri japonez Yoshihide Suga, dhe ka krijuar debate pafund brenda dhe jashtë vendit. Ambientalistët dhe kategori të caktuara si ato të peshkatarëve flasin për katastrofë natyrore, edhe pse autoritetet kanë deklaruar se do të respektohen të gjitha kriteret e sigurisë së mundshme.

Por reagimet më të forta kanë ardhur nga vendet fqinje, ku Pekini ka cilësuar vendimin si të papranueshëm. “Është e papërgjegjshme dhe do të dëmtojë së tepërmi shëndetin në botë si dhe interesat e vendeve fqinje”, lexohet në deklaratën zyrtare të ministrisë së Jashtme Kineze.

Reagim i fortë erdhi edhe nga Koreja e Jugut, që ka dërguar një protestë formale duke thënë se me të gjitha masat që mund të merren, hedhja e sasisë së ujit radiokativ, që parashikohet të ndodhë pas dy vitesh,  nuk mund të shmangë ndotjen mjedisore.

Edhe pse uji i centralit do të kalonte përmes disa filtrave të avancuara, që do të mbanin me vete pjesën më të madhe të elementeve radioaktive, njëri prej tyre, tritiumi, nuk mund të kapej nga filtrat dhe do të shpërndahej në det.

Ndërkohë, Tokio është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që deklaruan se edhe pse me keqardhje mbështesin vendimin japonez, si mundësia e vetme e mundshme. 

 

 

 

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco