Studiuesit zbulojnë një variant më ngjitës të COVID-it në Kaliforni

Studiuesit zbulojnë një variant më ngjitës të COVID-it në Kaliforni

17:03, 24/02/2021
A+ Aa A-

Sipas dy studimeve të reja paraprake një variant i ri i COVID-19, zbuluar kohët e fundit në Kaliforni, është më ngjitës se variantet e tjera të virusit.

Varianti i ri, i quajtur “B.1.427 / B.1.429”, u zbulua nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në San Francisko ndërsa po ndiqnin përhapjen e mundshme të variantit “B.1.1.7”, zbuluar për herë të parë në Britani vitin e kaluar.

Ekipi zbuloi se “B.1.427 / B.1.429” është shndërruar në variantin mbizotërues në këtë shtet pas testimit të mostrave të virusit të mbledhura nga i gjithë shteti mes shtatorit të vitit të kaluar dhe muajit janar.

Ekipi i ekspertëve thotë se njerëzit e infektuar me variantin “B.1.427 / B.1.429” prodhuan një ngarkesë virale dy herë më të madhe se ajo e varianteve të tjera, gjë që mund ta bëjë virusin që ata mbartin më ngjitës për të tjerët.

Varianti i ri ka më shumë të ngjarë të shkaktojë një formë të rëndë të sëmundjes "përfshirë një rritje të rrezikut për marrjen e sasive të mëdha të oksigjenit prej personave të prekur". Varianti i ri është pjesërisht rezistent ndaj antitrupave që mund ta luftojnë dhe neutralizojnë virusin.

Sipas një tjetër studimi të po këtij universiteti, ekspertët zbuluan se varianti është përhapur me shpejtësi në të gjithë lagjen historike të San Franciskos, në Mission District, duke i rritur nga 16 në 53 për qind infeksionet e konfirmuara me COVID-19 të gjurmuara nga nëntor në deri në janar.

Virologu Charles Chiu, që drejtoi studimin e UCSF-së, tha se varianti “B.1.427 / B.1.429” duhet konsideruar si "një variant shqetësues" e që meriton shqyrtime të mëtejshme.

Ndërsa numri i amerikanë që vaksinohen po rritet doktor Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjeve Infektive, thotë se për ata që janë vaksinuar do të dalin "së shpejti" udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Disa ndryshime janë publikuar tashmë. Për shembull të vaksinuarit nuk kanë nevojë të futen në karantinë nëse bien në kontakt me një person të infektuar.

Ndërkohë rrjeti kabllor i lajmeve CNBC njoftoi se furnizimi me vaksina pritet të rritet gjë që është konfirmuar nga vetë prodhuesit.

Në një dëshmi të shkruar drejtuar Kongresit, një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë “Pfizer”, John Young, shkruante se nga mesi i marsit kompania ka në plan të dyfishojë prodhimin në 13 milionë doza në javë.

Kompania “Moderna” shpreson të ofrojë 40 milionë doza në muaj deri në prill.

Ngarkesa e parë me vaksina e COVAX për Ganën

Gana ka marrë dërgesën e parë të vaksinave që luftojnë COVID-19 përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që siguron qasje të barabartë tek vaksinat.

Sipas një deklarate të përbashkët të OBSH-së dhe UNICEF-it, në kryeqytetin e vendit Akra, mbërritën të mërkurën 600,000 doza të vaksinës së zhvilluar nga universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca. Vaksinat janë prodhuar nga Instituti Serum i Indisë, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë.

Vaksinat e dërguara në Ganë janë blerë përmes programit COVAX, një iniciativë që udhëhiqet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Koalicionin për Risi e Gatishmëri gjatë Epidemive si dhe Gavi, Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin, një organizatë e themeluar nga filantropët Bill dhe Melinda Gates, që merret me vaksinimin e fëmijëve në vendet më të varfra të botës. Projekti siguron vaksina me ndihmën e vendeve më të pasura dhe i shpërndan ato në mënyrë të barabartë në të gjitha vendet. Javën e kaluar Presidenti amerikan Joe Biden premtoi 4 miliardë dollarë për programin “COVAX”.

Në dhjetor OBSH-ja njoftoi se “COVAX-i” ka arritur një marrëveshje për sigurimin e rreth dy miliardë dozave të disa vaksinave kandidate "premtuese"./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco