Revolucioni Kulturor Amerikan do të lërë vraga të përhershme

Revolucioni Kulturor Amerikan do të lërë vraga të përhershme

15:31, 24/02/2021
A+ Aa A-

Nga Andrew A. Michta

Amerika është mbërthyer nga një revolucion kulturor. I mbrujtur prej dekadash, ky revolucion erdhi në jetë në kolegjet dhe universitetet tona, të cilat krijuan trupat që tashmë udhëheqin sulmin. Këta të rinj e të reja janë në gatishmëri për të përmbysur statujat e Themeluesve të vendit tonë, të rrëzojnë monumente presidentësh, të riemërojnë shkolla, të censurojnë fjalën e lirë e të rishkruajnë programet mësimore. Ata veprojnë kështu sepse besojnë ethshëm se janë më të mirë se bashkëqytetarët e tyre të pashpresë që ecin prapa, që janë të verbër, apo, më keq, indiferentë për sëmundjet e supozuara, nga të cilat lëngon shoqërua jonë. Kampuset e kolegjeve dhe universiteteve kudo në vend janë transformuar nga fakultet i majtë në seminare që çdo vit shenjtërojnë në “priftërim të zgjuar” burra e gra që kanë më tepër kredenciale por që zor se janë të shkolluar.

Shumë midis revolucionarëve tanë të rinj, të tërhequr përherë e më tepër nga Gjenerata Z e Amerikës, e cila po hyn tashmë në fazën e rritjes, shpesh diplomohen në institucionet e arsimit të lartë të mbytur në borxhe, por me pak aftësi për të hyrë në treg për të siguruar punë me paga të mira. Kësisoj, ata shpesh hyjnë në një periudhë inaktive para-profesionale, të pazotë të hyjnë në botën e të rritur, duke shfryrë me mundim e zemërim kundër padrejtësive – disa reale, shumë imagjinare – të hedhura mbi ta nga “sistemi” dhe “shtypësit”. Bashkë me milenialët amerikanë, të cilët u poqën gjatë periudhës pas recesionit të madh të 2008-ës dhe panë zhdukjen e mundësive ekonomike teksa hynin në moshën e rritur, Gjenerata Z por merr formë për t’u bërë më radikalja dhe më e distancuara nga vlerat tradicionale dhe mënyra amerikane e jetesës. Me më tepër larmi etnish e racash se gjenerata mileniale para saj, Gjenerata Z e ka marrë formën nga një sistem arsimor që nuk ngul më te studentët ndonjë gjë të ngjashme me historinë koherente e të ekuilibruar të kombit amerikan e të themeleve të tij, për të siguruar që “e pluribus unum” (nga shumë, një – motoja e SHBA) të jetë mbi interesat e grupeve. Përkundrazi, politika e identitetit po ngre kokë si histori dominuese që u mësohet të rinjve. Nëse je student që ndjek shkollën sot, perceptimi që ke për Amerikën dhe të shkuarën e saj është i një vendi shtypës, ndoshta të pakorrigjueshëm.

Besimi i zgjimit që mësohet në shkollat tona dhe predikohet në shumicën e sferave të jetës amerikane bazohet mbi një degëzim mutacioni marksist, vetëm se kësaj radhe nuk është proletariati i shtypur që do të çlirohet nga elita e partisë dhe do t’i jepte vetëdija “e duhur”. Sot grupet e viktimizuar janë ata race që historikisht janë konsideruar si të shtypura, bashkë me pakicat seksuale. Ndryshe nga Kimera staliniste e “shoqërisë pa klasa” që u lind nga komunizmi, akolitët e sotëm që predikojnë zgjimin po punojnë për një botë të re guximtare me drejtësi racore dhe barazi absolute për të gjitha gjinitë dhe orientimet seksuale, të kuptuar në  termat e përfaqësimit proporcional dhe rezultateve të barabarta. Ambienti i medias sociale ku ata janë rritur — Instagram, Twitter e Tik-Tok — ka ushqyer një kulturë citatesh e parathëniesh morale. Kjo parathënie lë pak vend për nuanca dhe gradualisht rrit ndasitë e grupeve. Ajo forcon edhe bindjen midis milenialëve dhe Gjerneratës Z për virtytin e kauzës së tyre dhe falimentin moral të atyre që e kundërshtojnë atë ose thjesht nuk shfaqin zellin e kërkuar. Me diferencën politike të hedhur si një konkurrim etik midis së drejtës dhe së gabuarës, kompromisi bëhet burim turpi, duke nxitur politikën leniniste të kto-kogo ("Kush e merr kë.") Rezultati? Padyshim që çarja më e madhe e strukturës sonë kombëtare që nga Lufta Civile, e cila e ka bërë gati të pamundur për shumë milenialë amerikanë e të Gjeneratës Z të pranojnë që kundërshtarët e tyre – pra pjesa tjetër e shoqërisë – të paktën e meritojnë të marrin pjesë në demokracinë tonë. Pala tjetër nuk është thjesht e orientuar gabim, por përherë e më tepër ilegjitime.

Zgjimi i sotëm amerikan është "Olimpiada e Radikalizmit" dhe si çdo impuls totalitar kolektivist, radikalizmi lind frikën, veçanërisht midis të devotshmëve të tij, se dikush mund të deklarohet jo mjaftueshëm radikal. Një vlerësim i tillë çon detyrimisht në përjashtimin nga Kisha e Zgjimit dhe dërgimin në mbretërinë e "tjetrit" - ashtu si stalinistët e rinj denonconin komunistët e vjetër se nuk e adhuronin sa duhej partinë dhe udhëheqësin.

Hendeku i vlerave që shfaqet gjithnjë e më shumë midis Gjeneratës Z dhe milenialëve dhe pjesës tjetër të Amerikës shkon përtej ndarjes tradicionale të majtë - të djathtë ose liberal - konservator të dekadave të kaluara. Feja e zgjimit të shpallur nga klasa jonë e akredituar, veçanërisht ato që sapo vijnë në moshë madhore, ushqehet nga një epërsi morale e padiskutueshme mbi pjesën më të madhe të Amerikës. Ajo është plot përbuzje që vjen nga një ndjesi e patundur qëllimi për të riedukuar vendin dhe për ta shpëtuar atë nga njollat e padrejtësisë, të kaluara e të tashme. Kjo gjeneratë e re amerikanësh – e ndihmuar nga influencuesit e tyre të rritur në akademi, media, politikë dhe korporata – bazohet shumë te emocionet, duke përsëritur me ethe thuajse fetare mantrën e eliminimit të "privilegjeve", një term amorf e i keqpërcaktuar që përdoret për të njollosur kundërshtarët.  Ndërkaq, ata nuk arrijnë të shohin ironinë thumbuese të vendit të tyre në jetë, që është ndër grupet më të privilegjuara dhe të përkëdhelura në historinë e këtij kombi. Është kjo siguri morale që mbart me vete farat e një impulsi totalitar, ndryshe nga çdo gjë që ka provuar ky vend në të kaluarën, sepse mbart me vete domosdoshmërinë kategorike për të shtypur atë që e konsideron të keqe.

Totalitarizmi fiton kur njerëzit e denjë nuk guxojnë të flasin dhe të ekspozojnë gënjeshtrat përreth tyre, të tilla si ato që përmbahen në gjuhën e koduar të "privilegjit", "kryqëzimit", ose "teorinë e racës kritike e racës", apo fraza të tjera, përsëritja dhe prania e të cilave ka për qëllim të përcaktojë të vërtetën e tyre.

Suksesi i revolucionarëve të rinj të Amerikës qëndron në adhurimin e radikalizmit dhe në aftësinë për t'u mbështetur në vetëpërmbajtjen aktuale për të qenë “politically correct” në përdorimin e gjuhës në shkollë, punë e gjetkë, me qëllim frenimin e publikut për t’u shprehur. Ky model i ngjan përvojës së dialektikës marksiste në sistemet komuniste, ku qytetarët gjithmonë jetojnë me frikën se mos nuk shihen si mjaftueshëm të përkushtuar ndaj kauzës, sepse vija e partisë ndryshon gjithnjë e më shpejt, duke e bërë të pamundur mbajtjen e hapit.

Si në çdo revolucion kulturor, zelli ideologjik i radikalëve të Amerikës duhet përfundimisht të qetësohet dhe të shkumëzohet. Ndoshta do të përjetojmë një Thermidor amerikan. Kur të vijë kjo ditë, ne me siguri do të pyesim veten pse e toleruam kaq gjatë këtë impuls totalitar. Por a do të kemi edhe guximin të pranojmë zhdukjen e jetëve dhe shkatërrimin e karrierave nga feja e zgjimit? Më e rëndësishmja, a do të ballafaqohemi sinqerisht me faktin që për shumë kohë kishim frikë t’i quanim gjërat me emrin e tyre? Shpresoj që të paktën të pranojmë dëmin afatgjatë që kjo ideologji i ka shkaktuar idealit amerikan të lirisë individuale brenda ligjeve, sepse Thermidori amerikan – nëse vjen – nuk do të na kthejë vendin ashtu siç e kemi njohur dikur. Si të gjitha revolucionet e kaluara, vragat që Revolucioni Kulturor Amerikan do të lerë në shoqërinë dhe demokracinë tonë do të jenë të përhershme.

/Nationalreview.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco