Lukashenko: Unë e lë pushtetin vetëm me dy kushte

Lukashenko: Unë e lë pushtetin vetëm me dy kushte

09:09, 12/02/2021
A+ Aa A-

Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, ka përsëritur akuzat se fuqitë perëndimore qëndrojnë pas protestave 6-mujore për rrëzimin e tij.

Lukashenko u tha të enjten 2,700 pjesëmarrësve të Asamblesë Popullore se Perëndimi ka dashur ta destabilizojë vendin, që së bashku me pandeminë e koronavirusit, sipas tij tani e gjejnë Bjellorusinë në periudhën më serioze historike në 30 vite, që pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

“Lufta e tyre rrufe nuk pati sukses dhe ne e siguruam vendin. Por unë nga politika largohem vetëm me dy kushte: e para, nëpërmjet paqes dhe rendit, jo protestave, jo me përmbysje. E dyta, nëse në pushtet do të vinin njerëzit e gabuar ose me këndvështrime të ndryshme, duhet të sigurojnë se nuk do i prekin asnjë qime floku mbështetësve të presidentit aktual.”

Asambleja u mblodh gjatë ditës për të diskutuar planet për zhvillimin e Bjellorusisë, dhe nevojën për rivendosjen e lidhjeve politike dhe ekonomike me aktorët perëndimorë.

Lukashenko fajësoi opozitën bjelloruse se me protestat e vitit të kaluar kishte dhe ka ende qëllim rebelimin e qytetarëve dhe ndarjen e vendit nga aleanca me Rusinë.

Opozita ka mbështetjen e Amerikës dhe Bashkimit Europian në pretendimin se zgjedhjet e gushtit të kaluar u manipuluan nga aparati shtetëror që Lukashenko e kontrollon prej 26 vitesh.

Për shkak të burgosjeve të shumta dhe pengimit të dhunshëm të protestave, dhjetëra zyrtarë bjellorusë janë ndëshkuar me masa diplomatike nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Sipas organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në 6 muaj protesta janë shoqëruar mbi 30 mijë persona dhe mijëra të tjerë janë keqtrajtuar nga policia.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco