Lajmi i fundit

Vjedhjet me '5D'/ Sot protesta e opozitës të bashkia e Tiranës

‘Bombat artizanale të gjetura pranë Kapitol’, FBI jep detaje të reja

‘Bombat artizanale të gjetura pranë Kapitol’, FBI jep detaje të reja

22:10, 29/01/2021
A+ Aa A-

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me bombat artizanale që u gjetën në 6 janar në Uashington.

Zyrtarët federalë bënë të ditur të premten se dy bombat artizanale, të vendosura në zyrat e komiteteve kombëtare republikane e demokrate, të zbuluara pak përpara se mijëra protestues pro ish-Piresidentit Trump të sulmonin Kapitolin, ishin vendosur një natë më parë.

FBI-ja tha se nga hetimi kishin dalë informacione të reja, siç ishte ai se pajisjet shpërthyese ishin vendosur jashtë dy ndërtesave mes orës 7:30 dhe 8:30 pasdite më 5 janar, një natë para trazirave. Ato u pikasën nga strukturat e zbatimit të ligjit vetëm të nesërmen.

Nuk është e qartë nëse bombat artizanale kishin lidhje me sulmin e dhunshëm të 6 janarit apo ishin pjesë e planit për sulm të dhunshëm, pasi të dyja godinat ndodhen disa ndërtesa larg Kapitolit.

Incidenti ka qenë tejet shqetësues për strukturat e zbatimit e ligjit ndërsa zyrtarët po forcojnë përgatitjet mbi sigurinë përpara gjyqit në Senat ndaj ish-presidentit Donald Trump, të akuzuar për nxitje të sulmit të dhunshëm të 6 janarit.

 Për javë të tëra hetuesit kanë qenë të shqetësuar rreth potencialit për sulme ndaj atyre që i quajnë “shënjestër e butë” në kryeqytetin e vendit. Një “shënjestër e butë” është një person apo objekt lehtësisht i arritshëm për publikun e gjerë dhe relativisht i pambrojtur.

Dy zyrtarë të zbatimit të ligjit në dijeni të çështjes i thanë “Associated Press”, se të dyja pajisjet shpërthyese ishin shumë të ngjashme, e të dyja ishin rreth 30 cm të gjata me kapakë fundorë dhe instalime elektrike që dukeshin se ishin bashkangjitur në një kohëmatës. Po sipas tyre ekspertët po shqyrtojnë pajisjet dhe përbërësit e tyre për të përcaktuar përbërjet specifike brenda bombave artizanale, por të dyja duket se përmbajnë një pluhur të panjohur dhe disa metale.

Zyrtarët folën për AP-në në kushte anonimiteti, ndërsa të premten FBI-ja publikoi fotografi shtesë të pajisjeve shpërthyese. Zyrtarët gjithashtu kanë rritur shpërblimin lidhur me këtë çështje në 100,000 dollarë.

Steven D’Antuono, ndihmësi i drejtorit të zyrës së FBI-së për Uashingtonin, tha në fillim të kësaj jave se gjetja e personit që vendosi bombat artizanale ishte një përparësi kryesore për agjentët federalë. Zyrtarët kanë publikuar vetëm imazhe të kamerave të vëzhgimit rreth atij që mund të jetë potencialish i dyshuari për vendosjen e bombave.

Të premten FBI-ja tha se personi kishte veshur një bluzë gri me kapuç, maskë dhe atlete Nike “Air Max Speed Turf” në ngjyrë të verdhë, të zezë dhe gri si dhe mbante një çantë shpine.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco