Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Presidenti Biden heq kufizimet e abortit brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara

Presidenti Biden heq kufizimet e abortit brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara

18:49, 29/01/2021
A+ Aa A-

Presidenti Joe Biden shfuqizoi të enjten disa politika të administratës së ish-Presidentit Trump.

Njëra prej tyre kufizonte qasjen tek aborti, brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, njofton për domethënien e këtyre masave të Presidentit Biden për të drejtat riprodhuese të grave në mbarë botën.

Klinikat që ofrojnë shërbime të shëndetit riprodhues të grave në mbarë botën tashmë mund të ofrojnë informacione për abortin, pa patur frikën e humbjes së fondeve amerikane.

Të enjten, Presidenti Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të zgjeruar qasjen tek shërbimet e shëndetit riprodhues brenda dhe jashtë vendit, duke anuluar gjithashtu një rregullore për kufizimin e aborteve në botë, të njohur si “politika e Mexico City-t".

E miratuar në vitin 1984, kjo masë është mbështetur nga presidentët republikanë që nga koha e Presidentit Ronald Reagan. Ajo bllokon financimet federale amerikane për organizatat joqeveritare që ofrojnë këshillim apo rekomandim për abortin, që lobojnë për dekriminalizimin e abortit, apo zgjerimin e shërbimeve të abortit jashtë vendit.

"Urdhëri i dytë që po nënshkruaj lidhet me mbrojtjen e shëndetit të grave në vend dhe jashtë tij. Dhe rikthen ndryshimet ndaj Nenit 10 që ua vështirësonte grave qasjen në shërbimin shëndetësor të përballueshëm për sa i përket të drejtave riprodhuese", tha Presidenti Biden.

Edhe presidentë të tjerë demokratë, si Bill Clinton dhe Barack Obama, e kanë shfuqizuar këtë rregull, duke thënë se ai i privon gratë dhe vajzat në mbarë botën nga qasja tek shërbimet mjekësore thelbësore.

"Çdo herë që pakësohen fondet për shërbimet e shëndetit riprodhues, si p.sh. aborti, qoftë brenda vendit apo jashtë tij, atëherë jetë njerëzish vihen në rrezik; rrezikohet siguria ekonomike e njerëzve dhe sinqerisht edhe jetët e tyre", thotë Shaina Goodman, e organizatës "Partneriteti Kombëtar për Gratë dhe Familjet".

Presidenti Biden shfuqizoi edhe kufizimet vendore të administratës së ish-Presidentit Trump ndaj abortit. Aborti është i ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, por qasja ndaj tij u bë më e vështirë nën ish-Presidentin Trump.

"Do të ishte e mrekullueshme nëse mund të vepronim më shumë nën administratën e Presidentit Biden, por shikoj fatkeqësisht se nxiten më shumë politikat për legjislacionin pro zgjedhjes nga vetë gratë", thotë Mary Szoch, nga Këshilli i Studimeve për Familjen.

Në një tjetër përpjekje për të shfuqizuar politikat e ish-Presidentit Trump, Presidenti Biden nënshkroi urdhëra që zgjerojnë qasjen tek programi i siguracionit shëndetësor Medicaid, që mbulon shtetasit me të ardhura të ulta, si dhe tek programi i rregullt i sigurimit shëndetësor.

"Mënyra më e mirë për t'i përshkruar është se ato zhbëjnë dëmin e shkaktuar nga Trump-i", tha Presidenti Biden.

Sipas Fondacionit Kaizer për Familjen, rreth 15 milionë amerikanë pa siguracion shëndetësor mund të përfitojnë nga zgjerimi i këtyre programeve.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco