Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Biden telefonate me Merkel: Flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe ndërhyrjen ruse në Ballkan

Biden telefonate me Merkel: Flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe ndërhyrjen ruse në Ballkan

13:58, 26/01/2021
A+ Aa A-

ShBA-ja dhe Gjermania ranë dakord të koordinojnë politikat e tyre të jashtme për Ballkanin Perëndimor. Një angazhim i tillë u mor drejtpërdrejt gjatë telefonatës së parë midis presidentit të ri amerikan Joe Biden dhe kancelares gjermane Angela Merkel.

Çështje e hapur për të dy palët mbetet vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimit Europian dhe kundërshtimi i ndërhyrjes së Rusisë në rajon.

Deri tani administrata e re në Uashington ka mbështetur përmes sekretarit të Shtetit Antony Blinken, punën e administratës së kaluar për dialogun dhe marrëveshjen për normalizimin ekonomik të arritur në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa pritet një koordinim më i madh me Brukselin.

Një tjetër çështje është edhe integrimi i shpejtë i rajonit në Bashkimin Europian dhe sheshimi i mosmarrëveshje rajonale, siç është ajo mes Shkupit dhe Sofjes për çështjet historike, që solli bllokimin e procesit për Maqedoninë Veriore.

Shqetësim i vazhdueshëm për Bashkimin Europian dhe për Uashingtonin është ndërhyrja ruse apo prania e lartë turke në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndaj tani pritet një koordinim më i mirë i partnerëve transatlantikë.

Një përmbledhje e temave të telefonatës e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, thekson se “të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku mbi përparësitë e përbashkëta të politikës së Jashtme, duke përfshirë Afganistanin, Kinën, Iranin, Rusinë, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.”

Administrata e mëparshme amerikane u përpoq të punojë e vetme dhe pa u koordinuar me Bashkimin Europian për disa çështje, e kjo qasje pritet të ndryshojë tani që në Shtëpinë e Bardhë ndodhet një president që ka njohje të drejtpërdrejta me rajonin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco