Duke u ndarë nga epoka Trump, Amerika falenderon OBSH për luftën kundër pandemisë

Duke u ndarë nga epoka Trump, Amerika falenderon OBSH për luftën kundër pandemisë

11:33, 21/01/2021
A+ Aa A-

Me një kthesë dramatike, administrata e re e SHBA falenderoi të enjten Organizatën Botërore të Shëndetësisë për udhëheqjen që ka treguar në përballjen globale ndaj pandemisë dhe u zotua të mbetet një vend anëtar i saj.

"Në rrethana të vështira, kjo organizatë ka mbledhur komunitetin shkencor dhe kërkimor dhe të zhvillimit për të përshpejtuar vaksinat, terapitë dhe diagnostikimin", tha në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së, shkencëtari i lartë amerikan Anthony Fauci, i cili është emëruar këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden.

OBSH, tha ai, kishte "punuar pa pushim me kombet në luftën e tyre kundër Covid-19".

Komentet e tij shënuan një ndarje të prerë nga kritikat e ashpra të bëra ndaj OBSH-së nga ish-presidenti i SHBA Donald Trump, i cili kishte filluar tërheqjen e vendit të tij nga organizata.

Por që në ditën e tij të parë në detyrë të mërkurën, Biden e ktheu atë vendim.

Në një letër dërguar shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, Biden njoftoi se ai po tërhiqte mbrapsht deklaratën e Trump të 6 korrikut se Shtetet e Bashkuara kishin ndërmend të tërhiqeshin nga agjencia shëndetësore e OKB brenda 12 muajsh.

"Shtetet e Bashkuara synojnë të mbeten anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë," shkroi Biden.

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e përshëndeti rikthimin: "OBSH është një familje e kombeve dhe ne të gjithë jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara po qëndrojnë në familje," tha ai në takimin e bordit ekzekutiv.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco