Vatikani: Në SHBA është koha për të shëruar plagët - 'E pluribus unum'

Vatikani: Në SHBA është koha për të shëruar plagët - 'E pluribus unum'

09:43, 20/01/2021
A+ Aa A-

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë akoma të tronditura nga ngjarjet e 6 janarit, kur sulmi kundër Capitol Hill, në Uashington, shkaktoi vdekjen e 5 njerëzve, shkruan sot Vatican News. Nuk ishte parë kurrë një sjellje e tillë, e cila, pavarësisht se tejet e rëndë, dëshmoi dramatikisht përçarjen e shoqërisë amerikane, që shkon përtej përmasës politike. Ky polarizim i thelluar vitet e fundit, sipas shumë analistëve, nuk do të zhduket shpejt. Jo rastësisht, tema e zgjedhur nga presidenti i ri Joe Biden për ceremoninë e betimit, më 20 janar, është “America United” (Amerika e bashkuar). Amerikanët e ndiejnë gjerësisht e në mënyrë transversale, këtë nevojë për bashkim kombëtar, me vetëdijen se vetëm kur janë të bashkuar, mund të përballen me pandeminë dhe me krizën serioze ekonomike, që ka rezultuar prej saj.

Edhe Papa Françesku e ka theksuar gjithmonë vlerën e unitetit të amerikanëve, gdhendur në stemën e kombit, “E pluribus unum” (nga shumë, një). Gjatë udhëtimit të tij apostolik në SHBA-të, në vitin 2015, u bë Papa i parë, që i foli Kongresit të mbledhur në seancë të përbashkët. Me atë rast, mbajti një fjalim që - përmes figurave si ajo e Lincoln, Dorothy Day, Merton dhe Martin Luther King – vuri në pah çka e bën, në një farë mënyre, unike, demokracinë amerikane.

Duke filluar nga ajo ngjarje e 5 viteve më parë e deri në Engjëllin e Tënzot të këtij 10 janari, kur komentoi ç’ndodhi në Capitol Hill, Papa Françesku ka inkurajuar dhe inkurajon gjithnjë të hidhen poshtë tundimet përçarëse dhe të punohet me durim e guxim për pajtimin dhe bashkimin.

Jo më larg se dje, në një mesazh për Ditën kushtuar Martin Luther King, ai u bëri thirrje amerikanëve të “kthehen” në ëndrrën e liderit afro-amerikan. SHBA-të kanë nevojë ta realizojnë atë ëndërr të paplotësuar për “harmoni dhe barazi”. Ëndërr “gjithnjë aktuale”, madje, edhe më urgjente në një vend ku, pavarësisht nga mundësitë e mëdha ekonomike, padrejtësitë dhe konfliktet shoqërore mbeten e tani, përkeqësohen nga pandemia. Prandaj, ka ardhur koha që veta e parë e numrit shumës, “ne”, të mbizotërojë mbi njëjësin “unë”, që të shërohen plagët dhe të gjendet një unitet i ripërtërirë, bazuar në ato parime, të cilat e kanë mbajtur gjithmonë demokracinë amerikane, duke e bërë protagoniste në skenën ndërkombëtare.

Pikërisht, çështja e pajtimit kombëtar do të jetë sfida më e vështirë, veçanërisht në fazën e parë të presidencës Biden. Dikush vëren se kurrë si tani, anëtarët e administratës nuk kanë qenë kaq shumëracorë, duke filluar me zv.presidenten Kamala Harris. Krahas temës së brendshme të “shërimit” të shoqërisë amerikane, duhet përballuar edhe fronti i jashtëm, mbi të cilin janë ndezur reflektorët e vëmendjes ndërkombëtare.

Pas vitesh, shpesh, të karakterizuara nga vendime të njëanshme, ose nga marrëveshje dypalëshe, ka pritshmëri të madhe për “kthimin” e qasjes shumëpalëshe dhe rifillimin e marrëdhënive të besueshme me organizatat ndërkombëtare, duke filluar nga OKB-ja. Javët e fundit, janë njoftuar disa hapa në këtë drejtim, siç është kthimi i Shteteve të Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Ky vendim përkon me impenjimin e Papës Françesku në favor të përkujdesjes për shtëpinë e përbashkët, shprehur veçanërisht në enciklikën “Laudato si’”.

Pra, ndërsa Joe Biden përgatitet të betohet si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodhitë e fundit në Capitol Hill na kujtojnë se demokracia dhe institucionet e saj janë të çmuara dhe nuk duhet të konsiderohen si “të mirëqena” vetëm për faktin se ekzistojnë prej një kohe të gjatë. Kjo vetëdije nuk duhet të mbetet deklaratë, por – siç thuhet në enciklikën papnore “Fratelli tutti” – të nxisë për përpjekje konkrete në të gjitha nivelet. Ajo kërkon impenjim, jo vetëm nga ana e udhëheqësve politikë, por edhe nga të gjithë njerëzit e nga lëvizjet e tyre, për të promovuar të mirën e përbashkët dhe forcimin e demokracisë.

Kjo është edhe më e vërtetë sot, në një periudhë historike në të cilën, megjithë forcat centrifugale dhe interesat nacionaliste, pandemia ka treguar dramatikisht se “askush nuk shpëton i vetëm”.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco