Me eskortë të armatosur deri në dhëmbë, Prokurori italian nis sulmin më të madh kundër Mafias

Me eskortë të armatosur deri në dhëmbë, Prokurori italian nis sulmin më të madh kundër Mafias

13:53, 13/01/2021
A+ Aa A-

Romë – Prokurori Nicola Gratteri i ka kaluar tre dekadat e fundit duke luftuar me grupin më të fuqishëm të Italisë, “Ndrangheta”, duke hequr dorë nga çdo dukje e një jete normale tek përpiqet që t’ia heqë nga kthetrat kontrollin mbi vendlindjen e tij, Kalabrinë.

Në shputën e “çizmes” së Italisë, Kalabria është si një moçal me gropa nga ku "Ndrangheta" drejton organizatën e vet të krimit prej miliarda dollarësh, duke kontrolluar thelat e tregtisë së kokainës në Evropë dhe duke pastruar shuma të mëdha parash përmes një rrjeti biznesesh.

Të mërkurën, prokurori Gratteri nisi një nga sulmet më ambicioze të ligjit mbi grupin, me fillimin e gjyqit më të madh kundër mafias në Itali në këto 30 vjetët e fundit, duke vendosur 355 gangsterë dhe bashkëpunëtorë të tyre në bankën e të akuzuarve për një sërë akuzash.

"Gjyqi po shihet si një lloj çlirimi për Kalabrinë, një pikë kthese që duhet t'i lejojë njerëzit këtu të rimarrin një liri që u është mohuar për shumë vite," i tha Gratteri, Reuters në një intervistë telefonike.

Kjo çështje ka evokuar kujtime të të ashtuquajturit maksiproces, që e dobësoi rëndë grupin mafioz më historik “Cosa Nostra”-n në ishullin e Siçilisë në vitet 1980.

Fatkeqsisht, mafia i vrau në 1992-in, dy nga prokurorët kryesorë në atë çështje, Giovanni Falcone-n dhe Paolo Borsellino-n në shenjë hakmarrjeje pse dërguan qindra mafiozë prapa hekurave të burgut.

Kurse Gratteri 62- vjeçar ka pasur një eskortë të armatosur që kur ai filloi të hetojë “Ndrangheta”-n në vitin 1989, por po kujdeset edhe më shumë tani kur veprimet po avancojnë më shumë.

“Tani jam më i kujdesshëm se zakonisht. Unë nuk eci as 10 metra pa makinën time të blinduar,” tha ai.

"Nuk kam qenë në ndonjë restorant për më shumë se 20 vjet dhe nuk kam shkuar në kinema gati për 30 vjet.  Jam gjithmonë i mbyllur. Ha në zyrë. Shtëpia ime është në thelb, një bunker. Kam një ekip të mirë truprojash”. Asnjë mbrojtje nuk do të mund ta shpëtonte atë nga ai lloji i bombave që vranë Falcone-n dhe Borsellino-n, por Gratteri tha se nuk e le këtë mendim ta ta trazojë.

“Unë jam stërvitur që ta trajtoj frikën. Ti e shikon vdekjen në sy, e racionalizon vdekjen, ndryshe nuk mund të vazhdosh ta bësh këtë punë për kaq shumë vite.”

Ndrangheta lulëzoi jashtëzakonisht shumë pas Cosa Nostra-s dhe prokurorët thonë se tani është grupi më i fuqishëm mafioz në Itali, që shtyp pa mëshirë këdo që i del përpara në rrugën e saj.

Policia tha javën e kaluar se ata besojnë se një fshatare, e cila u zhduk në 2016-ën, u vra dhe me të u ushqyen derrat, pasi ajo refuzoi t'ia shiste tokën që kishte, një shefi  të Ndrangheta-s.

Gjyqi në Kalabri pritet të zbulojë mënyrën se si banda e krimit rekrutoi një ushtri punonjësish me jaka të bardha - avokatë, llogaritarë, zyrtarë publikë dhe nëpunës gjykatash - për të mundësuar operacionet e veta.

“Mafia ndryshon dhe evoluon së bashku me pjesën tjetër të shoqërisë. Ajo duhet të duket gjithnjë e më shumë si ne të tjerët, "tha prokurori Gratteri, duke shtuar se Ndrangheta kishte hedhur rrënjë në të gjithë veriun e pasur të Italisë dhe në pjesën më të madhe të Evropës, si dhe Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe deri në Australi.

Duke nënvizuar arritjen e saj, një gjykatë vendosi muajin e kaluar se dy nga pesë guvernatorët e fundit në rajonin e Valle d’Aosta në Italinë veriperëndimore ishin zgjedhur me mbështetjen e Ndrangheta-s, ndërsa një guvernatori të tretë iu refuzua kërkesa për ndihmë.

Prokurori Gratteri pranon që gjyqi i së mërkurës, i cili pritet të zgjasë një vit, nuk do të shkatërrojë këtë perandori të krimit, por ai shpreson se do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt shkatërrimit të saj duke inkurajuar viktimat të paraqiten dhe të denoncojnë mafiozët.

“Kjo do të hapë rrugën për më shumë sprova dhe do të na lejojë të hyjmë edhe më thellë në këtë grup. Unë dua që njerëzit të besojnë tek ne,  të fillojnë të bashkëpunojnë dhe të kenë gjithnjë besim të madh tek ne, "tha ai./ar.sh/SYRI.NET

ImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco