Presidentja e sapozgjedhur: Rusia duhet të largohet nga vendi im

Presidentja e sapozgjedhur: Rusia duhet të largohet nga vendi im

13:30, 05/12/2020
A+ Aa A-

Edhe pse Lufta e Ftohtë ka përfunduar zyrtarisht në fillimet e viteve ’90 dhe rrëzimin e regjimeve komuniste në Europën Lindore, ka ende një pjesë të Europës ku kjo nuk është e vërtetë.

Bëhet fjalë për Transnistriën, jo më shumë se një rrip toke formalisht e Moldavisë, e shtrirë në shtratin lindor të lumit Dnjepër, në kufi me Ukrainën.

Në kohën e pavarësisë së Moldavisë nga Bashkimi Sovjetik, kjo zonë nuk pranoi bashkimin me shtetin e ri, duke mbetur faktikisht një protektorat rus, i panjohur nga komuniteti ndërkombëtar,  që vijon të qeveriset ende me qasje sovjetike, ku si kryeqytet të vetëshpallur ka Tiraspolin. 

Por për presidenten e sapo zgjedhur të Moldavisë, Maia Sandu, kjo gjendje duhet të marrë fund, dhe trupat ruse që ndodhen në atë territor formalisht si paqësues pas konfliktit me forcat moldave në 1991, duhet të tërhiqen.

Ish-ekonomiste e Bankës Botërore, Sandu deklaroi nga kryeqyteti Kishinau se “trupat ruse duhet të zëvendësohen nga monitorues civilë  të OSBE-së, ne jemi një vend i pavarur dhe nuk duam ushtarë të huaj në territorin tonë”.

Deklaratat e Sandu, që fitoi zgjedhjet përballë Igor Dodon, një kandidati afër Moskës, nuk i kanë pëlqyer aspak Kremlinit që sheh Transnistriën si një pikë strategjike të rëndësishme. “ Rusia ka një rol të rëndësishëm aty, dhe tërheqja do të sillte destabilitet në rajon”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco