Adolf Hitleri i Namibisë: Nuk kam ndërmend të dominoj botën!

Adolf Hitleri i Namibisë: Nuk kam ndërmend të dominoj botën!

07:09, 04/12/2020
A+ Aa A-

Një politikan namibian i quajtur sipas Adolf Hitlerit thotë se ai nuk ka plane për të dominuar botën, pasi korri një fitore të madhe në zgjedhjet lokale.

Adolf Hitler Uunona u zgjodh javën e kaluar si këshilltar për zonën elektorale të Ompundja.

Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, ai këmbënguli se nuk kishte "asgjë të përbashkët" me ideologjinë naziste.

Adolf, si emrat e tjerë të parë gjermanikë, nuk është e pazakontë në vend, i cili dikur ishte një koloni gjermane.

Ai u zgjodh për partinë qeverisëse Sëapo, e cila udhëhoqi fushatën kundër sundimit kolonial dhe të pakicave të bardha.

Z. Uunona pranoi se babai i tij e kishte quajtur atë me emrin e  liderit nazist, por tha "ai ndoshta nuk e kuptonte atë që përfaqësonte Adolf Hitler".

"Kur isha fëmijë më dukej një emër krejtësisht normal," tha Z. Uunona, i cili fitoi vendin e tij me 85% të votave.

"Vetëm kur u rrita e kuptova: Ky njeri donte të nënshtronte të gjithë botën," tha ai, duke shtuar. "Unë nuk kam të bëj fare me asnjë nga këto gjëra."

Z. Uunona tha se gruaja e tij e quan Adolf, ai thirret me këtë emër në publik dhe nuk ka ndërmend ta ndryshojë atë.

Midis viteve 1884 dhe 1915, Namibia ishte pjesë e territorit gjerman të quajtur Afrika Jugperëndimore Gjermane.

Perandoria Gjermane vrau mijëra njerëz gjatë një revolte 1904 - 1908 nga popullsia vendase Nama, Herero dhe San, në atë që disa historianë e kanë quajtur "gjenocidi i harruar".

Më parë këtë vit, Namibia refuzoi një ofertë prej 10 milion eurosh nga Gjermania për dëmshpërblime, duke thënë se do të vazhdonte të negocionte për një "ofertë të rishikuar".

Pas Luftës së Parë Botërore, Namibia u vu nën kontrollin e Afrikës së Jugut dhe fitoi pavarësinë në 1990. Por ajo ende ka shumë qytete të emërtuara nga Gjermania dhe një komunitet të vogël gjermanofolës.

Partia e qendrës së majtë Sëapo u ngrit nga lëvizja e pavarësisë së Namibisë dhe ka qeverisur vendin që nga viti 1990. Por mbështetja për partinë ka rënë pas akuzave të ryshfetit mbi industrinë e peshkimit.

Në zgjedhjet e muajit të kaluar, Sëapo humbi kontrollin mbi 30 qytete të mëdha dhe qyteza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco