Presidenti ‘bling-bling’ del para gjyqit/ Sarkozy në telashe

Presidenti ‘bling-bling’ del para gjyqit/ Sarkozy në telashe

10:59, 23/11/2020
A+ Aa A-

Ai e kishte pseudonimin presidenti ‘bling-bling’ për shkak të fiksimit pas luksit. Por tani Nicolas Sarkozy do të përballet me realitetin e ashpër të gjykatave.

Sipas BBC, ai do të dalë në gjyq i akuzuar për korrupsion dhe përpjekje për ndikim, pasi thuhet se tentoi të ndërhynte për të korruptuar një gjykatës në këmbim të informacioneve në lidhje me një hetim mbi financat e partisë së tij.

Ai është i pari ish-president në Francën moderne që do të dalë në bankën e të akuzuarve. Sarkozy e udhëhoqi Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012.

Një tjetër ish-president i krahut të djathtë, Jacques Chirac është dënuar me dy vite burg të pezulluar për devijim të fondeve publike dhe abuzim me besimin e publikut gjatë kohës kur ishte kryebashkiak i Parisit. Por ai nuk doli përpara gjykatës për shkak të problemeve me shëndetin.

Magjistratët francezë kanë shpenzuar vite të tëra duke hetuar akuzat për korrupsion ndaj Sarkozy.

Prokuroria beson se zoti Sarkozy dhe avokati i tij tentuan që të korruptojnë gjykatësin Gilbert Azibert me një vend pune prestigjioz në Monako në shkëmbim të informacioneve.

Bisedat telefonike të përgjuara tregojnë se si Sarkozy, duke përdorur emrin Paul Bismuth, bisedon me avokatin e tij për gjyqtarin. Sarkozy i mohon akuzat dhe thotë se gjyqtari nuk e mori promovimin.

Në tetor të vitit 2013, ndaj Sarkozy ranë poshtë akuzat se kishte marrë donacione të paligjshme nga pasanikja e kompanisë L’Oreal, Liliane Bettencourt.

Prokurorët dyshojnë se Sarkozy dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë miliona euro nga Libia për fushatën e vitit 2007. Në atë kohë ishte në pushtet Muammar Gaddafi.

Në vitin 2018, Sarkozy u akuzua për korrupsion, financim të paligjshëm të fushatës dhe përfitim nga fondet publike të devijuara.

Muajin e kaluar, magjistratët e akuzuan si pjesë të një komploti kriminal. Edhe këto akuza mund ta çojnë në gjyq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco