Sulmet ndaj personelit amerikan në Irak/ SHBA: Nuk do tolerojë kërcënimet ndaj njerëzve tanë

Sulmet ndaj personelit amerikan në Irak/ SHBA: Nuk do tolerojë kërcënimet ndaj njerëzve tanë

20:49, 01/10/2020

Uashingtoni ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë sulme ndaj interesave të SHBA-së në Irak, nga ana e milicive të mbështetura nga Irani.

Deklarata vjen pasi Bagdadi ka shprehur shqetësim në lidhje me një tërheqjeje të mundshme amerikane.

"Ne nuk mund të tolerojmë kërcënimet ndaj njerëzve tanë, burrave dhe grave tona që shërbejnë jashtë", tha David Schenker, ndihmës sekretar i Shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt.

Schenker nuk e konfirmoi ose mohoi një raportim se SHBA-ja ka kërcënuar me tërheqje të trupave dhe mbyllje të ambasadës së saj në Bagdad, nëse nuk ndalen sulmet kundër tyre.

"Ne jemi duke punuar dhe ne shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë irakianë për të mbajtur të sigurt personelin tonë dhe strukturën tonë", tha ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, lëshoi një ultimatum javën e kaluar, në të cilin thoshte, se i gjithë personeli amerikan do të largohej nga Iraku, nëse qeveria nuk ndërmerr masa për të ndalur sulmet kundër tyre.

Më 28 shtator, një raketë që synonte trupat amerikane vrau shtatë civilë pranë Bagdadit. Ky ishte sulmi i 40-të që shënjestronte interesat e SHBA-së që nga fillimi i gushtit.

Një tërheqje amerikane mund të nxisë tërheqjen edhe të anëtarëve tjerë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-së, të cilët luftojnë militantët.

“Tërheqjet do të ishin të rrezikshme, sepse grupi i Shtetit Islamik kërcënon jo vetëm Irakun por të gjithë rajonin", tha Ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein.

Ndërsa zyrtari i lartë amerikan David Schenker tha se "problemi i vetëm më i madh në Irak janë milicitë e mbështetura nga Irani që po dëmtojnë stabilitetin atje dhe po sulmojnë Shtetet e Bashkuara"./ Rel/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco