Mikrobi që ha trurin: Një qytet në SHBA ndalohet të pijë ujë nga çezmat

Mikrobi që ha trurin: Një qytet në SHBA ndalohet të pijë ujë nga çezmat

07:45, 27/09/2020
A+ Aa A-

Banorët e Lake Jackson  në Teksas janë paralajmëruar të mos përdorin ujin nga çezmat pasi një mikrob vdekjeprurës ngrënës truri, u gjet në ujësjellësin e qytetit.

Analizat konfirmuan praninë e Naegleria fowleri në sistemin e ujësjellësit. Ameba mund të shkaktojë një infeksion të trurit, i cili zakonisht është fatal.

Infeksionet janë të rralla në SHBA., me 34 të raportuara ndërmjet viteve 2009 dhe 2018, njofton BBC.

Zyrtarët në Lake Jackson thanë se po dezinfektonin sistemin e furnizimit me ujë por nuk e dinin sa do të zgjaste kjo.

Tetë komuniteteve në Teksas u thanë fillimisht të premten në mbrëmje që të mos përdornin furnizimin e tyre me ujë për ndonjë arsye përveçse të lanin tualetet. Paralajmërimi u hoq të shtunën për të gjithë, përveç Lake Jackson, një qytet me më shumë se 27,000 banorë.

Autoritetet në Lake Jackson më vonë thanë se njerëzit mund të fillojnë të përdorin ujin, por duhet ta zienin para se ta pinin. Banorëve u është thënë gjithashtu që të marrin masa të tjera, duke mos lejuar që uji t’u hyjë në hundë apo në gojë kur të lahen.

Qyteti paralajmëroi se fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar ishin "veçanërisht të prekshëm".

Zyrtarët thanë se ata po e pastronin sistemin e ujit dhe më pas do të kryenin teste për t'u siguruar që uji ishte i sigurt për t'u përdorur.

Një hetim mbi furnizimin me ujë të qytetit filloi pasi një djalë gjashtë vjeçar kontraktoi mikrobin dhe vdiq në fillim të këtij muaji, u tha gazetarëve menaxheri i qytetit të Lake Jackson, Modesto Mundo.

Naegleria fowleri gjendet natyrshëm në ujërat e ëmbla dhe gjendet në të gjithë botën. Zakonisht infekton njerëzit kur uji i ndotur hyn në trup përmes hundës dhe më pas shkon në tru.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se infeksioni ndodh zakonisht kur njerëzit bëjnë not ose zhytje në "vende me ujëra të ngrohta të ëmbla".

CDC thotë se njerëzit nuk mund të infektohen duke gëlltitur ujin e ndotur dhe nuk mund të kalojë nga personi në person.

Ata që u infektuan me Naegleria foëleri patën simptoma duke përfshirë ethe, të përziera dhe të vjella, si dhe një dhimbje të fortë në qafë dhe kokë. Shumica vdesin brenda një jave.

Një infeksion u konfirmua më parë në shtetin amerikan të Floridës në fillim të këtij viti. Në atë kohë, zyrtarët e shëndetit atje u kërkuan vendasve të shmangnin kontaktin e hundës me ujin nga çezmat dhe burime të tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco