Vidhet ampula me gjakun e shën Gjon Palit II në Spoleto

Vidhet ampula me gjakun e shën Gjon Palit II në Spoleto

12:19, 25/09/2020
A+ Aa A-

Ampula me gjakun e shën Gjon Palit II, relike e çmuar për besimtarët e Spoletos, nuk është më në kapelën e të Kryqëzuarit në Bazilikën-Katedrale të Spoletos, ku e ka vendin. U vodh dje, akoma nuk dihet nga kush. Kryeipeshkvi i Spoleto-Norcia-s, imzot Renato Boccardo, bën thirrje që t’i kthehet kishës vendase, njoftoi Vatikani.

Në një komunikatë, kryedioqeza sqaron se mungesën e ampulës me gjakun e Papës shenjt polak, e vuri re sakristanja në çastin e mbylljes së katedrales.

Kuria kryeipeshkvnore njoftoi menjëherë karabinierët e Spoletos, që filluan hetimet e rastit. Kur mori vesh lajmin, imzot Boccardo shprehu habinë dhe keqardhjen për këtë sakrilegj, duke u bërë zëdhënës i ndjenjave të besimtarëve, që mbajnë gjallë kujtesën e Papës Wojtyla e kanë devocion të madh për të.

Gjest i rëndë

Në një videomesazh, prelati shpreson që ky akt të jetë bërë pa menduar për pasojat e nuk ka për qëllim të fyejë besimtarët, ose, edhe më keq, të fitojë para nga shitja e relikes.

Ampula me gjakun e shën Gjon Palit II ishte ngërthyer në një relikuar të larë me ar dhe iu dhurua kishës së Spoleto-Norcia-s më 28 shtator 2016, nga kryeipeshkvi i atëhershëm i Krakovit, Stanislaw Dziwisz.

Duhej të vendosej në kishën e re të San Nicolò, pranë Spoletos, e cila i kushtohet pikërisht Papës polak. Mesha e kushtimit do të kremtohet më 22 tetor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco