Dialogu Strategjik SHBA- Katar mbyllet me deklaratë të përbashkët, ja pikat kryesore

Dialogu Strategjik SHBA- Katar mbyllet me deklaratë të përbashkët, ja pikat kryesore

14:06, 18/09/2020
A+ Aa A-

Në datat 14 – 15 shtator, u zhvillua në Uashington raundi i tretë i Dialogut Strategjik midis SHBA-së dhe Katarit. Seanca hapëse u kryesua nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve, ku u adresuan çështjet rajonale e globale, dhe bashkëpunimi dypalësh në fushat e shëndetit, ndihmës humanitare, punës, zbatimit të ligjit, antiterrorizmit, tregtisë, kulturës dhe arsimit.

Në përfundim të dialogut, palët dolën me një deklaratë të përbashkët për çështjet e adresuara, ndër të cilat pikat më kryesore janë:

Image

- Nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi për arsimin, kulturën dhe sportet, dhe i një deklarate qëllimi që përcakton 2021-shin si Viti i Kulturës Katariano – Amerikane. Krahas tyre, u nënshkrua edhe një deklaratë qëllimi për organizimin e një forumi investimesh nga Katari në Shtetet e Bashkuara gjatë 2021.

- Të dy qeveritë shprehën shqetësimin për ndikimet negative e të dëmshme të krizës aktuale të Gjirit në sigurinë, ekonominë dhe shoqërinë rajonale, duke theksuar nevojën për unitetin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe përqendrimin për një të ardhme të sigurt e të lulëzuar në të gjithë rajonin.

- Katari i shprehu mirënjohjen SHBA-së për mbështetjen e ndërmjetësimit të Kuvajtit për zgjidhjen krizës mbi bazën e respektit të sovranitetit dhe pavarësisë së palëve të përfshira.

- Të dy qeveritë diskutuan çështje të sigurisë rajonale, përfshirë përpjekjet e përbashkëta për mposhtjen ISIS-it dhe vendosjen e paqes duke i dhënë fund konfliktit në Libi, Siri dhe Jemen. Diskutimet trajtuan edhe zhvillimet politike në Irak dhe mundësitë e arritjes së një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit izraelito – palestinez, bazuar në vizionin e Shteteve të Bashkuara për paqen.

- SHBA vlerësoi udhëheqjen aktive dhe ndërmjetësimin e Katarit për të promovuar paqen dhe pajtimin midis palëve në Somali dhe Sudan. Ndërsa Katari ndau shqetësimin e tij në lidhje me situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke theksuar nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe të jetesës atje.

- SHBA falënderoi Katarin për rolin e tij thelbësor në uljen e përfaqësuesve Talibanë në tryezën e negociatave, për mikpritjen e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes historike midis Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve në shkurt 2020, si dhe për fillimin e negociatave të paqes në Afganistan në shtator 2020.

- Shtetet e Bashkuara vlerësuan rolin efektiv të Katarit në zbatimin e reformave në kodin e punës dhe përpjekjet për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore.

- SHBA shprehu mirënjohje për përpjekjet e vazhdueshme të Katarit në luftën kundër terrorizmit dhe financimit të tij, si dhe në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në të gjitha format e tij.

- Shtetet e Bashkuara mirëpritën angazhimin e Katarit për të siguruar 75 milion dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për Zyrën e Anti-Terrorizmit pranë OKB-së.

- Të dy qeveritë u angazhuan për një koordinim dhe bashkëpunim më të madh në fushën e sigurisë kibernetike dhe luftimin e krimit kibernetik.

- Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Katarin, për mbështetjen e organizimit të sigurt dhe të suksesshëm të Kampionatit Botëror të Futbollit, FIFA 2022.

- SHBA dhe Katari theksuan rëndësinë e ruajtjes së lirisë së aviacionit civil dhe rishikuan përparimin e bërë rreth memorandumit të mirëkuptimit për aviacionin civil të nënshkruar më 29 janar 2018.

- Të dy qeveritë pohuan dëshirën e përbashkët për të rritur bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe përshëndetën lëvizjet e fundit të kompanive energjetike amerikane për të hapur zyra në Katar, me qëllim forcimin e marrëdhënieve me homologët katarianë.

- Delegacioni amerikan vlerësoi zbatimin e suksesshëm të reformave në Katar që synojnë të tërheqin investime të huaja, përfshirë krijimin e zonave të lira ekonomike, zgjerimin e të drejtave të pronësisë së biznesit për shtetasit e huaj dhe krijimin e një Agjencie për Promovimin e Investimeve.

- Investimet totale të Katarit në Shtetet e Bashkuara tejkaluan 200 miliardë dollarë amerikanë. Shteti i Katarit dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të punojnë së bashku për të inkurajuar më shumë investime dypalëshe, qoftë edhe përmes misioneve tregtare dhe forumeve të tilla si Select USA.

- SHBA dhe Katari, si prodhues të mëdhenj të energjisë, theksuan rëndësinë e përpjekjeve të tyre të përbashkëta për të krijuar një treg energjie transparent dhe konkurrues, si dhe mbështetjen e aksesit në energji me kosto të përballueshme dhe të besueshme, në mënyrë që të krijojnë një treg global të energjisë në interes të përbashkët mes konsumatorëve dhe prodhuesve.

- Të dy qeveritë theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve mes dy popujve. Me këtë rast u rishikua progresi i arritur në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin arsimor dhe deklaratat e qëllimit për bashkëpunimin kulturor, të nënshkruara në 2019.

- U njoftua nënshkrimi i një marrëveshjeje midis NASA-s dhe Institutit të Katarit për Kërkim në fushën e Energjisë dhe Mjedisit (QEERI) pranë Universitetit “Hamad Bin Khalifa”, për zhvillimin e një studimi mbi zbulimin e rezervave të ujërave nëntokësorë.

- Të dy qeveritë pohuan angazhimin e tyre në Deklaratën e Përbashkët mbi Bashkëpunimin e Sigurisë për Rritjen e Paqes, Sigurisë dhe Lufës ndaj Terrorizmit, e cila u nënshkrua gjatë punimeve të dialogut të parë strategjik në Janar 2018.

- Delegacioni amerikan bëri të ditur planet për zgjerimin e bazës ajrore Al Udeid dhe përshëndeti mbështetjen e Katarit për zgjerimin e mjediseve jetësore në bazë. Të dy palët u angazhuan gjithashtu për të vazhduar konsultimet mbi mundësinë e një pranie të përhershme të bazës ushtarake amerikane në Katar.

- Të dy qeveritë vunë në dukje zgjerimin e fundit të partneritetit detar me rritjen numrit të vizitave nga anijet detare amerikane në portet e Katarit gjatë viteve 2019 dhe 2020.

- Palët diskutuan mbi programin e shitjeve të jashtme ushtarake, me vlerë 26 miliardë dollarë amerikanë, i cili reflekton forcën e partneritetit dhe bashkëpunimit ushtarak midis Katarit dhe Shteteve të Bashkuara.

- Katari dhe SHBA pohuan angazhimin e tyre për dialog dhe bashkëpunim afatgjatë dhe presin të rishikojnë gjatë takimit të ardhshëm që do të mbahet në Uashington në tremujorin e parë të 2021, progresin e arritur nga grupi i punës për politikat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco