Vdes Shoku Duch, drejtori i burgut të tmerreve në Kamboxhian e Khmerëve të Kuq

Vdes Shoku Duch, drejtori i burgut të tmerreve në Kamboxhian e Khmerëve të Kuq

13:23, 02/09/2020
A+ Aa A-

Kaing Guek Eav, i njohur si Shoku Duch, figurë e rëndësishme Khmerëve të Kuq dhe i dënuar për krime kundër njerëzimit në Kamboxhia, vdiq sot në moshën 77-vjeçare. Ai ishte i dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e OKB-së.

Shoku Duch ishte drejtor i burgut famëkeq Tuol Sleng, ku mijëra njerëz u torturuan dhe u vranë në fundin e viteve ’70.

Dy milionë njerëz besohet të kenë vdekur nën regjimin maoist të Khmerëve të Kuq, të cilët patën pushtetin në Kamboxhia nga 1975 deri më 1979.

Më 2010, Duch u bë funksionari i parë i lartë i Khmerëve të Kuq që u dënua nga një gjykatë e përkrahur nga OKB, një dekadë pasi një gazetar e kishte zbuluar atje ku fshihej. Ai u burgos më 2012.

Një zëdhënës i gjykatës konfirmoi vdekjen e tij sot në kryeqytetin Phnom Penh, pa dhënë hollësi mbi shkakun. Ai kishte qenë i sëmurë prej vitesh.

‘Duch vdiq sot në mëngjes, në orën 00:52, më 2 shtator, në Spitalin e Miqësisë Khmer-Sovjetike. Nuk mund të jap hollësi se nga se vdiq’, tha zëdhënësi.

Gjatë kohës si drejtor i Tuol Sleng, Duch mbante një arkivë gjigante me foto e dokumente, përfshirë ‘rrëfimet’ e mijëra të burgosurve, të cilat zbuluan shumë aspekte të funksionimit të brendshëm të Khmerëve të Kuq. Ato ndihmuan edhe prokurorët që të gjurmonin muajt e fundit të jetës së mijëra të dënuarve.

Shoku Duch drejtoi burgun S-21 në Phnom Penh, i njohur me emrin Tuol Sleng, vendi më famëkeq i torturave të Khmerëve të Kuq.

Mendohet se të paktën 15 mijë burra, gra e fëmijë, të cilësuar si armiq të regjimit, kaluan përmes portave të shkollës së shndërruar në burg.

Shumica e tyre u torturuan, u detyruan të rrëfenin krime imagjinare kundër Khmerëve të Kuq dhe më pas u vranë në të ashtuquajturat ‘fusha të vdekjes’ pranë kryeqytetit.

Të burgosurit ishin fillimisht zyrtarë të qeverisë së vjetër, njerëz të akuzuar se ishin të shtresës së mesme, e më pas kryesisht anëtarë të Khmerëve të Kuq të dyshuar për mungesë besnikërie.

Rojet, që shpesh ishin adoleshentë, i detyronin të burgosurit të shkruanin rrëfime të detajuara për çfarëdo që akuzoheshin dhe të implikonin miq e të afërm, të cilët burgoseshin më pas.

Ata që iu mbijetonin torturave dërgoheshin në ‘fushat e vrasjes’ në Choeung Ek ku vriteshin, shpeshherë pasi kishin hapur varret e tyre masive.

Më pak se një duzinë të burgosurish mbijetuan në Tuol Sleng.

‘Asgjë nuk bëhej pa miratimin e Duchit në shkollën e dikurshme. Ai kishte kontroll total’, shkruante fotoreporteri Nic Dunlop, i cili e zbuloi më 1999, teksa fshihej pranë kufirit tajlandez.

Gjatë procesit, Duch pranoi se kishte qenë në drejtimin e Tuol Sleng dhe kërkoi ndjesë për pjesën e tij në tmerret e shkaktuara atje. Më vonë deklaroi se kishte ndjekur vetëm urdhrat, por apeli i bazuar te kjo u hodh poshtë nga gjykata.

Kush ishin Khmerët e Kuq?

Regjimi brutal i Khmerëve të Kuq, i udhëhequr nga Pol Pot, mori jetën e rreth 2 milionë njerëzve në periudhën 1975-1979 që ishte në pushtet.

Regjimi u përpiq ta kthente Kamboxhian në mesjetë, apo në Vitin Zero, duke detyruar miliona njerëz nga qytetet të punon në ara në fshat. Fillimisht shënjestruan ‘intelektualët’, që shpesh ishin njerëz që mbanin syze apo flisnin një gjuhë të huaj, si dhe të lidhurit me regjimin e vjetër, të përkrahur nga SHBA, të cilin përmbysën për të ardhur në pushtet. Liderët e tyre paranojak shihnin armiq kudo.

Shënjestër u bënë edhe vietnamezët etnikë dhe myslimanët Cham, një grup etnik të Azinë Juglindore. Shumë prej viktimave të regjimit vdiqën nga uria, sëmundjet dhe puna stërmunduese. Regjimi u përmbys më 1979 nga trupat vietnameze, por liderët ia mbathën dhe vazhduan rezistencën kundër qeverisë së re të përkrahur nga Vietnami, në zonat përgjatë kufirit me Tajlandën.

OKB ndihmoi në krijimin e një gjykate që nisin punën më 2009, për gjykimin e liderëve që kishin mbijetuar. Pavarësisht qindra miliona dollarëve të shpenzuar, vetëm tre ish Khmerë të Kuq janë dënuar: Shoku Duch,  kreu i shtetit Khieu Samphan, dhe krahu i djathtë i Pol Potit, Nuon Chea, i cili vdiq vitin e kaluar, pasi ishte dënuar për genocide. Vetë Pol Pot vdiq më 1998.

Në procesin kundër Shokut Duch, ai pranoi krimet në Tuol Sleng, por tha se urdhrat vinin nga Komiteti Qendror i Khmerëve të Kuq.

‘Kushdo që arrestohej, duhej të vdiste. Ishte ligj i partisë’, tha. ‘Ne kishim përgjegjësinë të merrnim në pyetje dhe t’ia përcillnim rrëfimet KQ të partisë’.

Dhjetë vjet më pas, ai tha se ndiente keqardhje të thellë dhe iu kërkoi falje familjeve të viktimave. Në ditët e fundit të gjyqit kërkoi të lirohej, duke thënë se nuk kishte qenë anëtar i lartë i hierarkisë së Khmerëve të Kuq.

Të afërmit e viktimave tanë se kjo kërkesë ishte tallje me deklaratat për keqardhje.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku02/09/2020 17:11

Për të gjithë komunistët dhe këlyshat e tyre: Ja nga çfarë lloj shtazësh tribidiane personifikoheni ju që pretendoni akoma se keni qenë në anën e duhur të historisë. Në qoftë se ka ndonjë dallim nga nazistët, ky ndryshim është vetëm për keq, për shumë më keq, tmerrësisht shumë herë më keq, madje edhe si numër viktimash brënda popullit tuaj që keni shkaktuar o shtazë tribidiane, e që vazhdoni krimet edhe sot, pa asnjë shenjë pendimi. Xhehnem Ferri ju pret të gjithëve për 7 breza.

Shto koment

Denonco