Katari reforma në Kod Pune, përcaktohet paga minimale dhe ndryshimi i lirë i vendit të punës

Katari reforma në Kod Pune, përcaktohet paga minimale dhe ndryshimi i lirë i vendit të punës

13:11, 01/09/2020
A+ Aa A-

Në vijimësi të përpjekjeve të tij për mbrojtjen e interesave të palëve në marrëdhënie pune, Shteti i Katarit ndërmori të dielën një hap të madh përpara në reformimin e tregut të punës.

Në këtë kuadër, Ministria e Zhvillimit Administrativ, Punës dhe Çështjeve Sociale përcaktoi me ligj pagën minimale dhe lehtësoi ndjeshëm kriteret për ndryshimin e vendeve të punës nga ana e punonjësve.

Paga minimale u vendos pas konsultimeve të gjera që zhvilloi një komitet kombëtar i specializuar me autoritetet përkatëse për shqyrtimin e çështjes. Ky ligj është i pari në llojin e tij në të gjithë Lindjen e Mesme dhe do të sigurojë stabilitet shtesë në tregun e punës në Katar.

Reagimet ndërkombëtare

Duke përshëndetur reformat e reja për tregun e punës në Katar, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) tha ‘Me këto ndryshime të rëndësishme, Katari ka marrë një zotim që do tu japë punëtorëve më shumë të drejta e mbrojtje, dhe punëdhënësve më shumë zgjedhje. Ne jemi dëshmitarë të asaj që mund të arrihet kur qeveritë, punëtorët dhe punëdhënësit punojnë së bashku me ILO për të promovuar punë të denjë për të gjithë’.

Kurse Sekretari i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC) Sharan Burrow e konsideroi ligjin e ri të punës në Katar ‘një lajm shumë i mirë për punonjësit. Udhëheqja e treguar nga Katari në çmontimin e sistemit kafala dhe futjen e një page minimale është një lajm i shumëpritur për të gjithë punëtorët. ITUC është e gatshme të mbështesë Qeverinë e Katarit në zbatimin e kësaj lëvizje historike, për të siguruar që të gjithë punëtorët të jenë të vetëdijshëm për rregullat e reja dhe të përfitojnë prej tyre. Vendet e tjera në rajon duhet të ndjekin shembullin e Katarit’.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punëdhënësve (IOE) Roberto Suárez Santos, tha ‘Këto reforma do të japin një kontribut të madh në efikasitetin dhe produktivitetin e tregut të punës në Katar’

Rregullimet e reja

Sipas ligjit të ri nr. 17 të vitit 2020 për ‘Caktimin e pagës minimale’, paga mujore bazë për të gjithë punëtorët e sektorit privat vendas apo të huaj është jo më pak se 1.000 QAR (230 euro). Për punjonësit shtëpiakë (të shërbimit), krahas pagës minimale punëdhënësi duhet të mbulojë me 500 QAR (115 euro) shpenzimet e akomodimit dhe 300 QAR (70 euro) të tjera në muaj për ushqim, përveç rastit kur punëdhënësi i siguron punjonjësit shtëpiak ushqimin dhe akomodimin adekuat.

Ministria e Punës, në koordinim me punëdhënësit do të përditësojë të gjitha kontratat e punës ku punonjësve u është caktuar një rrogë më e vogël se shuma e përcaktuar me ligjin e ri, i cili do të hyjë në fuqi 6 muaj pas botimit në fletoren zyrtare. Gjithashtu, do të formohet dhe një komitet i posaçëm që do të rishikojë në vazhdimësi pagën minimale të punëtorëve.

Në të njëjtën kohë, qeveria e Katarit prezantoi një dekret në lidhje me ligjin nr. 18/2020 që amendon disa dispozita të ligjit të Punës nr. 14/2004 dhe dekretin për ligjin nr. 19/2020, i rregullon hyrjen, daljen dhe vendbanimin e e të huajve. Dekretet e reja synojnë mbrojtjen e të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe lehtëson procesin e ndryshimit të vendit të punës. Këto reforma pritet të nxisin konkurrencë më të madhe në tregun e punës dhe mundësojnë tërheqjen e punonjësve të kualifikuar në tregun vendas.

Ndryshimet e reja në Ligjin e Punës parashikojnë ndëshkime më të rrepta për punëdhënësit që nuk paguajnë pagat e punëtorëve, si dhe gjoba për ata punëdhënës që nuk u sigurojnë punonjësve akomodim adekuat në përputhje me standardet e vendosura nga Ministria.

Rregullimet përfshijnë gjithashtu rritjen e numrit të komiteteve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të marrëdhënieve të punës, në përpjekje për adresimin e mosmarrëveshjeve dhe aksesin e punëtorëve për të shpejtuar procedurat ligjore.

‘Shteti i Katarit është i përkushtuar të krijojë një treg modern dhe dinamik të punës. Në përputhje me Vizionin e Katarit 2030, ligjet e reja shënojnë një moment të rëndësishëm në këtë udhëtim, ku do të përfitojnë të gjithë si punëmarrësit, punëdhënësit, ashtu edhe vendi në tërësi’ – tha Ministri i Punës Yousuf Mohamed Al Othman Fakhroo.

Thithja e punonjësve të kualifikuar nga jashtë, mbrojtja e të drejtave të tyre dhe garantimi i sigurisë së tyre është pjesë e objektivave të zhvillimit njerëzor në Vizionin Kombëtar Katar 2030.

Me reformat e reja, Katari synon zgjerimin e tregut të punës në mënyrë që nxit konkurrencën, tërheq investime në ekonominë lokale dhe orienton rritjen ekonomike në Katar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco