Shpërthimi apokaliptik/ Si mbërriti ‘bomba’ deri në port

Shpërthimi apokaliptik/ Si mbërriti ‘bomba’ deri në port

13:14, 05/08/2020
A+ Aa A-

Më shumë se 100 persona humbën jetën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në portin industrial të Bejrutit, kryeqytetit të Libanit. Shpërthimi i fuqishëm ndodhi kur mori flakë një sasi prej 2750 ton nitrat amoni. Fuqia e shpërthimit ishte sa një e pesta e bombës atomike të Hiroshimës.

Por si mbërriti ky material kaq eksploziv në portin e Bejrutit?

Sipas Al Jazeera, autoritetet kishin të paktën gjashtë vite që e dinin për praninë e lëndës së rrezikshme në port. Gjithçka nisi në vitin 2013, kur nitrati i amonit mbërriti aksidentalisht në portin e Bejrutit.

Anija ishte nisur për Mozambik, por u ankorua në Bejrut për shkak të një problemi teknik në det. Zyrtarët libanezë e bllokuan anijen dhe nuk e lejuan të lundrojë. Shumica e ekuipazhit u largua dhe pronarët e braktisën atë.

Anija ishte në pronësi të biznesmenit rus, Igor Grechushkin. Ai është një biznesmen nga qyteti siberian i Khabarovsk, por aktualisht jeton në Qipro

Ngarkesa e rrezikshme u shkarkua në hangarin 12 të portit. Zyrtarët e doganave dërguan të paktën pesë letra duke kërkuar që lënda e rrezikshme të hiqej nga aty.

Ata nuk morën përgjigje për të paktën tre vite dhe lënda mbeti aty deri një ditë më parë, kur gjatë një momenti saldimi, mendohet se ka shpërthyer flaka që ka provokuar ndezjen e lëndës së rrezikshme.

Çfarë është nitrati i amonit

Nitrati i amonit, i identifikuar si shkaku kryesor i shpërthimit vrastar në Bejrut, është një substancë kristalore pa aromë, e cila përdoret si fertilizant. Megjithatë, sipas Daily Mail, ai qëndron pas shumë shpërthimeve industriale dhe sulmeve terroriste gjatë dekadave të fundit.

Dy ton nga ky nitrat u përdorën për të prodhuar bombën e sulmit të vitit 1995 në Oklahoma të SHBA, ku vdiqën 168 persona. Gazeta shkruan se kjo substancë përdoret gjerësisht për të prodhuar bomba nga talibanët.

Ky material është përdorur edhe nga sulmet që ka kryer IRA në Britaninë e Madhe. Në të paktën tre sulme është përdorur kjo lëndë. Për këtë arsye, ka rregulla strikte për ruajtjen e kësaj lënde.

Kimistët thonë se në kushte normale dhe pa nxehtësi shumë të lartë, kjo lëndë nuk merr flakë. Por fakti që kishte një re të zezë, më pas tym të kuq, tregon se ka qenë një reaksion i paplotë. “Mendoj se ishte një shpërthim i vogël që ka nxitur reagimin e nitratit të amonit- nuk e di nëse ka qenë aksident apo i qëllimshëm”, tha profesori i kimisë, Jimmie Oxley.

Ekspertët thonë se një zjarr i nisur nga një shkëndijë gjatë saldimit ka provokuar ndezjen e lëndës kimike shpërthyese. Shpërthimi ka qenë ekuivalent me tre milionë kiloton.

Raportohet se të paktën 100 persona kanë humbur jetën nga shpërthimi. Në magazinë mbaheshin 2750 ton nga kjo lëndë kimike. Ekspertët thonë se vdekjet nga ky shpërthim pritet të vijnë me faza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco