GJND në favor të Katarit në mosmarrëveshjen rreth hapësirës ajrore ndërkombëtare

GJND në favor të Katarit në mosmarrëveshjen rreth hapësirës ajrore ndërkombëtare

10:09, 15/07/2020
A+ Aa A-

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) me qendër në Hagë, vendosi të martën në favor të Katarit, në lidhje me mosmarrëveshjen rreth hapësirës ajrore mes pesë vendeve në Lindjen e Mesme.

Në vendimin e saj, GJND kundërshtoi apelimin e paraqitur nga Bahreini, Arabia Saudite, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat vunë në diskutim autoritetin e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), për të gjykuar mosmarrëveshjen ajrore midis këtyre shteteve dhe Katarit.

Në vitin 2017, këto katër shtete vendosën një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore kundër Katarit, duke ndaluar avionët katarianë të kalojnë në hapësirën e tyre ajrore. Bllokada u vendos në mënyrë të njëanshme në kuadër të një sërë masash kundër Katarit, duke e  akuzuar se përkrahte grupe të cilat këto shtete i konsiderojnë si organizata terroriste dhe që sipas tyre, shkelin marrëveshjet për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike në rajon.

Katari i hodhi poshtë akuzat, duke argumentuar se bllokada ajrore bie ndesh me Konventën e vitit 1944 mbi Aviacionin Civil, e cila çoi në krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të OKB-së.

Katari iu përgjigj bllokadës duke e çuar çështjen në ICAO, por shtetet e bllokadës u ankuan se vetëm GJND-ja ka autoritetin të vendosë mbi mosmarrëveshjen, sepse sipas tyre, kjo mosmarrëveshje shkon përtej çështjes së lidhur thjesht me aviacionin civil. Megjithatë, ky apelim u refuzua të martën nga gjyqtarët e GJND, që vendosën se ICAO është autoriteti kompetent për shqyrtimin e çështjes.

Ndërkohë, Shteti i Katarit e përshëndeti vendimin nëpërmjet një postimi në Twitter. Ministri i Transportit Jassim Saif Ahmed Al-Sulaiti shprehu besimin se ICAO do të vendosë në favor të Katarit dhe do ta gjykojë bllokadën e imponuar ajrore si të paligjshme.

Nga ana tjetër, Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) në Hagë konfirmoi nëpërmjet Twitterit, se çështjen do ta ngrejë tashmë në ICAO për të mbështetur të drejtën e Emirateve për mbylljen e hapësirës së vet ajrore ndaj avionëve të Katarit. Ambasadorja e UAE-së në Hollandë e përshkroi vendimin e GJND-së si "teknik dhe të kufizuar në aspektin procedural që ka të bëjë me juridiksionin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes" dhe nuk ka lidhje me vetë çështjen.

Tashmë pritet që ICAO të marrë vitin e ardhshëm një vendim përfundimtar rreth bllokadës ajrore të imponuar ndaj Katarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco