Marrja e shtetësisë/ COVID-19 ndryshon ceremoninë  e betimit për shtetasit e rinj amerikanë

Marrja e shtetësisë/ COVID-19 ndryshon ceremoninë e betimit për shtetasit e rinj amerikanë

19:09, 04/07/2020
A+ Aa A-

Ceremonitë e marrjes së shtetësisë për qytetarët e rinj amerikanë, që mbahen çdo muaj në Los Anxheles janë më të mëdhatë në vend.

Në fund të marsit, mes pandemisë së koronavirusit, Agjencia për Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit, filloi të shtyjë ceremonitë për shkak të përhapjes me shpejtësi të virusit, raporton VOA.

Por pas tre muajsh, zyrtarët e agjencisë kanë gjetur një mënyrë krijuese për ceremoninë.

Për shumë imigrantë, dita kur marrin shtetësinë është një moment i shënuar, sidomos falë një ceremonie solemne natyralizimi.

Këtë vit, qind banorë të Los Anxhelesit, u detyruan të prisnin, pasi ceremonitë e tyre u shtynë.

Por meqenëse lista u zgjerua shumë nga koronavirusi, të gjithë qytetarët e rinj, po e bëjnë betimin pa dalë nga makina.

Majid erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Irani në vitin 2012, pasi fitoi llotarinë. Ai tha se nuk ishte e lehtë të përshtatej me një kulturë të re dhe të mësonte një gjuhë të re, por ia vlente. Tetë vjet më pas, ai me krenari bën betimin si shtetas amerikan.

“Habitem që shoh kaq shumë njerëz. Në fillim kisha dëshirë të shkoja në Los Angeles, sepse do të kishte një atmosferë hareje dhe më pëlqen hareja! Edhe kështu, mirë është. Jam i lumtur, po duket sikur kam ardhur të porosis nga McDonald”, thotë ai.

“Kisha ëndërruar dhe imagjinuar gjithmonë të isha në një stadium të madh, me një përshëndetje nga presidenti dhe të ishte një aktivitet madhështor ku të visheshim bukur! Por edhe kështu është mirë sepse nuk pati vonesa”, thotë Murati.

Qytetarët e rinj, duhet të hyjnë me makinë në një parkim të veçantë, ta kthejnë radion në një frekuencë ku dëgjojnë fjalimin e presidentit dhe himnin amerikan, pastaj një përfaqësues i agjencisë së imigracionit, bën disa pyetje. Më pas bëjnë betimin pa dalë fare nga makina.

“Po përpiqemi të ofrojmë një përvojë sa më të veçantë, me situatën që kemi. Shpresojmë që me flamujtë që i kemi vënë kudo, me zyrtarët vërtet të lumtur që shohin gjithë këta njerëz, të jetë një moment i paharrueshëm, por thjesht ndryshe”.

Ceremonitë e betimit me makina që zgjasin më pak se 10 minuta, filluan në mes të qershorit dhe mbi 250 vetë betohen çdo ditë.

“E kuptoj që për sigurinë e njerëzve dhe sigurinë time, situata ka ndryshuar. Prandaj e vlerësoj, e vlerësoj procesin, sa shpejt u bë. Thjesht jam mirënjohëse që më në fund jam amerikane!” thotë Deisy.

Për shumicën e njerëzve, pavarësisht se sa e pazakontë ceremonia, rezultati është i njëjtë: ata marrin një pasaportë blu amerikane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco