Rihapja e kufijve/ Evropianët vërshojnë drejt destinacioneve turistike, priten me këngë e valle

Rihapja e kufijve/ Evropianët vërshojnë drejt destinacioneve turistike, priten me këngë e valle

21:33, 01/07/2020
A+ Aa A-

Pas rihapjes së kufijve për një sërë shtetesh, evropianët vërshuan drejt destinacioneve turistike menjëherë.

Të shumtë ishin turistat që udhëtuan drejt ishujve të Greqisë, pasi aeroportet rajonale kthyen fluturimet ndërkombëtare me 1 korrik.

Greqia kishte përgatitur një pritje tepër special për turistët, ku përfshihej muzikë tradicionale, valltarë dhe tapet i kuq.

“Greqia është vendi ynë i preferuar. Edhe pse është një periudhë e çuditshme, vendosëm të vinim pasi ndjejmë se është një shtet i sigurt. Ishte një kohë shumë e keqe dhe mezi po prisnim të vinim në det”, deklaron Suzana, një turiste çeke.

 “Masat e ndërmarra janë shumë strikte por na bëjnë të ndihemi të sigurtë, më shumë se në shtëpi aktualisht”, thotë një tjetër turist nga Gjermania.

Qeveria e Athinës po var shpresat në një rimëkëmbje të turizmit pas 3 muajve izolim, të vendosur për të frenuar përhapjen e Covid-19. Të gjithë udhëtarët do të plotësojnë një formular special 48 orë përpara mbërritjes në Greqi, ndërsa autoritetet do të kryejnë teste të rastësishme për Covid-19.

Ndërkohë Kroacia është një ndër destinacionet e preferuara të shtetasve europianë për të kaluar pushimet. Mijëra çekë zgjodhën mënyrën e vjetër dhe udhëtuan me tren nga Praga drejt Rijekës. Direktivat e reja të Bashkimit Europian mundësuan edhe kthimin e qarkullimit të qytetarëve mes Spanjës dhe Portugalisë, të dyja destinacione shumë të pëlqyera për shkak të plazheve dhe atraksioneve të tjera.

Ndërkohë, me vendimin e fundit të Brukselit, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë për në vendet e Bllokut të paktën për 14 ditët e ardhshme, kur rishikohet lista me shtetet e sigurta. Izolimi erdhi pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike.

Rekomandimi i Këshillit Europian nuk është detyrues e mbetet në dorë të shteteve anëtare ta implementojnë ose jo atë, e megjithatë askush nuk është i gatshëm të rrezikojë, edhe nëse kjo do të nënkuptonte shpëtim të industrisë së turizmit.

Një ditë para se Bashkimi Europian të konfirmonte listën e vendeve të sigurta, Greqia u shpreh se ishte e gatshme të hapte kufijtë për fqinjët shqiptar, pak orë më vonë ndryshoi qëndrim duke saktësuar se do të jenë vetëm shtetasit me leje qëndrimi dhe ata që kanë arsye thelbësore që do të kalojë kufijtë helen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco