COVID-19: në SHBA po pakësohen shtretërit në spitale Pritje në spitalin e Miamit

COVID-19: në SHBA po pakësohen shtretërit në spitale

07:17, 29/06/2020
A+ Aa A-

Në SHBA u regjistruan këtë javë më shumë se kurrë më parë raste të reja të virusit në një ditë. Në disa shtete federale po pakësohen shtretërit e spitaleve. Trumpi e zbut gjendjen, ekspertët thonë: gjendja është serioze.

Nga Carla Bleiker, DW

Virusi i Coronës ndoshta mund të jetë më pak i pranishëm në mendjet e amerikanëve, se më parë. Diskutimet për racizmin dhe statujat e kontestuara të heronjve të jugut janë më prezente. Kjo nuk do të thotë, se pandemia ka kaluar. Të mërkurën (24.06) u regjistruan 45.557 raste të reja - këto janë më shumë diagnoza të reja në një ditë, se në pikun e pandemisë në prill.

Shqetësuese është gjendja në Arizona, Arkansas, Kaliforni, Karolinën e Veriut, atë të Jugut, Tenesi dhe Teksas, ku janë shënuar recorde të reja. Në spitalet në këto shtete federale janë të shtruar më shumë se kurrë më parë njerëz në spitale. Rritja e numrit të infeksioneve mund të lidhet me hapjen që u bë në Ditën Memoriale në fund të majit, thonë ekspertët e shëndetësisë. Në disa shtete nuk ka vend shtretërish në spitale. Në Arizona ka vetëm 12% kapacitete shtretërish, në Florida gjendja është e njëjtë, ashtu edhe në Teksas.

Teksas shkel frenat e emergjencës

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott në fund të javës u shpreh, se "rihapja" duhet të presë njëherë, dhe në spitale nuk duhet të bëhen më operacione, që nuk janë absolutisht të nevojshme. Të premten ai u shpreh: "Si e thashë edhe në fillim, nëse përqindja rritet më shumë se 10%, shteti i Teksasit duhet të marrë masa që të kufizojë përhapjen e virusit”, tha Abott.

Teksas ishte ndër vendet e para që rihapi baret, restorantet, kinematë, qendrat e blerjes etj. Disa masa kufizuese rikthehen. Baret dhe restorantet, që fitimin e marrin kryesisht nga shitja e alkoolit, duhet të mbyllin portat për mysafirët, por mund të vazhdojnë të shesin në formë furnizimi dhe të ofrojnë pije për t'u marrë me vete. Edhe firmat që ofrojnë sportet ujore, aq të preferuara në Teksas duhet të mbyllin dyert.

Teksas është shteti i parë që bën një hap mbrapa në rrugën me katër faza të rihapjes. Këtë mund ta pasojnë vende të tjera. „Përqindja aktuale e infeksioneve që po rritet sërish, tregon, se ajo që po bëjmë ne nuk funksionon", shkruan për Deutsche Wellen, Shelley M. Payne, drejtoreshë e Qendrës LaMontagne për Sëmundjet Infektive në Universitetin e Teksasit në Austin. „Nëse i lemë të hapura dyqanet, duhet të gjejmë rrugë të tjera, se si të ruajmë sigurinë e të gjithëve."

Trump: Rritja shpjegohet me testimet e shtuara

„Mendoj, se njerëzit nuk i durojnë dot më kufizimet, dhe nëse nuk njeh askënd, që ka COVID-19, është e lehtë...të harrosh, që njerëzit vdesin nga kjo sëmundje”, thotë biologja molekulare, Payne. Ata që janë në posicione drejtuese mund të ndihmojnë, "duke dhënë deklarata të qarta, të unifikuara për rreziqet dhe rregullat, dhe, në rast nevoje të vendosin kufizime.”

Por pikërisht ky është problemi në SHBA. Kritikët thonë, se presidenti, Donald Trump dhe guvernatorët republikanë nuk e morën seriozisht për një kohë të gjatë virusin, dhe me shqetësimin e tyre për ekonominë, i hoqën shumë herët masat kufizuese. Tani ata minimizojnë rrezikun e valës së infektimeve. Trump shkroi në twitter se numri në rritje i rasteve të virusit Corona lidhet vetëm me atë, që vendi i tij po bën shumë e më shumë teste.

Rritja e numrit të të shtruarve në spitale në Austin

Ekspertët e kundërshtojnë këtë si arsyen e vetme. „Që kur ne i kemi zgjeruar testimet edhe ndaj njerëzve pa simptoma, gjejmë më shumë raste. Por rritja e tyre nuk lidhet vetëm me faktin, se po bëhen më shumë testime", thotë Payne. „Përqindja pozitive është rritur, se numri i njerëzve që shkojnë në spitale është më i lartë. Këto të dhëna të flasin për më shumë sëmundje."

Deri të premten (26.06) në SHBA ndërruan jetë nga virusi 126.000 vetë. Se sa shpejt do të rritet kjo shifër, apo nëse do të ngrihet më ngadalë, do të varet edhe nga ajo, nëse politikanët janë të gatshëm të rivendosin kufizimet, dhë nëse njerëzit do të respektojnë „distancën sociale" apo më mirë do të shijojnë netët e verës në restorante të mbushur plot.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Komentet

Shto koment

Denonco